Protesta masive rrit tensionet politike në Shkup

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë masive anti-qeveritare në Shkup të Maqedonisë të hënën në mbrëmje – ku tensioni qe i lartë për shkak se autoritetet nuk iu përmbajtën ultimatumit të protestuesve.

Pamje prej njërës nga protestat kundër Qeverisë së Nikolla Gruevskit në Shkup.

Në protestën e mbrëmjes së hënë, grupet e protestuesve thyen dritaret e Ministrisë së Drejtësisë në qendër të Shkupit, u përpoqën të shembin statujën prej bronzi të Prometeut para ndërtesës së parlamentit dhe hodhën sërish bojë ndaj institucioneve shtetërore, të cilat shumë i shohin si simbole të ish-kryeministrit dhe liderit të partisë në pushtet, VMRO -DPMNE Nikola Gruevski.

Protesta, e quajtur «Qytetarët janë të ardhur për Drejtësi», e organizuar si pjesë e protestave anti -qeveritare të pagëzuara si «Revolucioni shumëngjyrësh» filloi para Prokurorisë Speciale, ku pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për këtë institucion, para se të niseshin për nga ndërtesa qeveritare.

Duke iu drejtuar njerëzve, aktivisti Pavle Bogoevski përsëriti kërkesat imediate të protestuesve, që përfshijnë garanci se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë nuk do ta shkrijë Prokurorinë Speciale, formuar vitin e kaluar për të hetuar krimin e nivelit të lartë, ku dyshohet se janë përfshirë shumë politikanë të partisë në pushtet.

Protestuesit kërkuan edhe formimin e një gjykate të veçantë që do të merret me rastet e Prokurorisë Speciale, formimin e një qeverie kalimtare që do të kryejnë reformat për zgjedhje të lira, dorëheqjen e presidentit Gjorge Ivanov dhe përfshirjen e përfaqësuesve nga radhët e tyre në procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja për zgjidhjen e krizës.

Protesta erdhi pas autoritetet  nuk iu përmbajtën një afati, i cili skadoi të shtunën, vendosur nga protestuesit, për të përmbushur këto kushte kyçe.

Gjatë protestës, Radmila Shekerinska, nënkryetar i Social Demokratëve të opozitës, i tha turmës së protestuesve: «Kjo krizë ka vetëm një fund – drejtësi dhe përgjegjësi për të gjithë. Ata që kanë vjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi. Njerëzit kërkojnë drejtësi dhe paqe… dhe i them Gruevskit se nuk do të ketë tolerancë për një tjetër zgjedhje kriminale».

Para tubimit, organizuesit e protestës dhe aktivistë civilë bënë thirrje për një protestë të qetë në një përpjekje për të shuar frikën se mund të shpërthente dhuna, veçanërisht në qoftë nëse policia do të përpiqej t’i bllokonte rrugën protestuesve ose nëse partia në pushtet VMRO DPMNE mobilizonte përkrahësit e vet, por gjithsesi pati incidente të vogla të dhunës.

Marshimi i çoi protestuesit para Ministrisë së Drejtësisë, të cilën protestuesit e spërkaën me bojë, këtë herë me ngjyrë të kuqe dhe thyen disa dritare.

Turma më pas u transferua në ndërtesën e parlamentit, ku një grup i protestuesve u përpoq të shembë statujën prej bronzi të Prometeut, e cila qëndron përballë parlamentit, por policia ndërhyri në këtë incident, duke nxitur demonstruesit të tërhiqen.

Statuja, pjesë e riorganizimit të madh të qeverisë të quajtur «Shkupi 2014», shihet nga shumë njerëz në Maqedoni, si një simbol i sundimit nëntëvjeçar të Gruevskit.

Kriza në Maqedoni sillet rreth pretendimit se qeveria e kryesuar dikur nga Gruevski, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 20.000 njerëz , në mesin e krime të tjera.

Gruevski , i cili mori pushtetin në vitin 2006 dhe dha dorëheqjen si kryeministër në fillim të këtij viti sipas kushteve të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, thotë se shërbimet e jashtme të inteligjencës kanë «fabrikuar» përgjime dhe ia kanë dhënë opozitës për të destabilizuar vendin.

(Botuar fillimisht në: http://www.reporter.al/protesta-masive-rrit-tensionet-politike-ne-shkup/)