Protesta e opozitës; qeveri teknike, ndryshe bojkot parlamentit dhe përshkallëzim

Qindra mbështetës të opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike janë ngujuar prej ditës së shtunë në një çadër përpara ndërtesës së kryeministrisë, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike si kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në çadrën e protestuesve. Foto: LSA.



Prej tre ditësh qindra mbështetës të opozitës janë mbledhur në një çadër të ngritur përpara kryeministrisë në një protestë pa afat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie të udhëhequr nga teknokratë, e cila do të kishte përgjegjësinë ta udhëhiqte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

Në fjalime të transmetuara drejtpërdrejtë në rrjetin social Facebook dhe televizione, liderët e opozitës, të mbështetur nga gazetarë dhe intelektualë, e kanë akuzuar kryministrin Rama për lidhje me krimin e organizuar.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh të dielën se qeveria e udhëhequr nga Rama nuk mund të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat mund të arriheshin vetëm nëpërmjet një qeverie teknike.

«Ne së bashku do ta dekriminalizojmë shtetin deri në qelizën e fundit. Ne do ti heqim kriminelët nga politika, do ta zbatojmë ligjin për dekriminalizimin të cilin sot e bllokon i njëjti njeri që i solli trafikantët e grave dhe vajzave shqiptare dhe i bëri deputet, kryetarë bashkish, u dha pushtet dhe i bëri drejtorë. Kryeministri i kërkoi dhe si solli sepse i duhehsin për të marrë, vjedhur e shantazhuar shqiptarët», u shpreh Basha.

«A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë kryeministër të bërë njësh me bandat e drogës?! A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë koalicion të krimit dhe korrupsionit?! Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike, një qeverie të zgjedhjeve të lira. Ky është kushti, kjo është zgjidhja», shtoi ai.

Rezistenca e filluar nga opozita para zyrave të qeverisë vjen pas protestës masive të së shtunës, kur dhjetramijëra qytetar zbritën në bulevardin «Dëshmorët e Kombit», për të protestuar kundër qeverisë së qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama.

Protesta e opozitës është mbështetur dhe nga gazetarë si Sonila Meçe, Preç Zogaj dhe Armand Shkullaku. Në një bashkëbisedim të dielën në mbrëmje me protestuesit, Shkullaku u shpreh se protesta e opozitës ishte një aksion pa kthim në mbështetje të qytetarëve të nëpërkëmbur nga qeveria.

«Qytetarët këto 4 vjet janë ndjerë të nëpërkëmbur, të lënë pas dore dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës nuk ka pasur një përfaqësim më të fortë, për të pasur një zë, për të qënë zëdhënës të shqetësimeve të tyre», tha Shkullaku. «Partia Demokratike ka hedhur një hap që çdo kthim pas nuk do dëmtonte vetëm atë por do vriste përfundimisht shpresën e njerëzve që në fund mund të ketë një ndryshim», shtoi ai.

Ndërkohë, moderatorja televizive Sonila Meçe e akuzoi kreyminsitrin Rama se kishte cënuar lirinë e medias në vend duke mbyllur televizionin kritik ndaj tij, Agon Channel.

«Unë për vete i bashkohem [protestës] sepse e kam ndjerë mbi kurriz se çfarë do të thotë presion i qeverisë mbi punën time», u shpreh Meçe.

«Unë jam gazetare dhe kishim një televizion, dhe vetëm sepse orekset e kësaj klase në pushtet nuk bashkoheshin me fjalën e lirë, 500 kolegë mbetën pa punë. Vetëm sepse kryeministri i vendit vendosi të bëjë edhe prokurorin, edhe gjykatësin», shtoi ajo.

Të hënën kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, deklaroi se derisa të plotësoheshin kërkesat e saj, opozita do të bojkotonte parlamentin dhe paralajmëroi se protesta do të përshkallëzohej.

«Të gjitha format do të përdoren, protesta në Tiranë dhe të gjithë Shqipërinë», tha Paloka. «Kërkesa është vetëm një, largimi i Edi Ramës, nuk ka asnjë mundësi tjetër», shtoi ai.

Duke iu përgjigjur protestës të opozitës gjatë komunikimit të tij javor në Facebook, kryeministri Edi Rama u shpreh se ishte ‘qesharake’ që udhëheqësit e PD-së protestonin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

«Po pse kush është kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme? A ka ndokush ndonjë fakt konkret që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira? Natyrisht që jo!» tha ai.

«Udhëheqësit e kësaj proteste kanë qenë në një kohë të gjatë në pushtet. Edhe vet ata e dinë se më në fund ka shtet», përfundoi kreu i qeverisë.

(https://www.reporter.al/protesta-e-opozites-qeveri-teknike-ndryshe-bojkot-parlamentit-dhe-pershkallezim/)