Propagandistët e Putinit

Qëllimi i mbulimit të luftës së Ukrainës prej televizionit rus nuk është raportimi i luftimeve, por hedhja e sa më shumë benzine flakëve të luftës, thekson në librin e tij Arkady Ostrovsky, ish-korrespondent i «Financial Times» dhe së fundi i «Economist» nga Moska.

Vladimir Putin. Ilustrimi: Shutterstock

Rusia sot sundohet prej një grupi krejtësisht të patalentuar e të tmerrshëm rrugaçësh të tillë ky vend nuk i kishte pasur prej kohës së para Luftës së Dytë Botërore. Por si u bë që këta burra të ngjiteshin në majat e pushtetit? Dhe si u bë që fenomeni i putinizmit të shpëlajë një komb të tërë? Në librin e tij të ri, «The Invention of Russia», Arkady Ostrovsky fajëson presionin sistematik që vjen jo vetëm prej së lart, por edhe efektet e akumuluara të gjeneratave të boshllëkut gjenetik – ku mezi është mbijetuar.

Homo soveticus, ka vërejtur zoti Ostrovsky, «ishte proces negativ i përzgjedhjes që së pari ka eleminuar më të mirët dhe më të mençurit, pastaj ua ka futur në tru dyshimin, izolimin dhe varësinë, dhe pastaj ka dekurajuar lirinë e mendimit dhe të veprimit». Sot kushdo që dëshiron të mendojë e flasë lirshëm, largohet nga vendi (si rasti i ekonomistit Sergei Guriev dhe qindra mijëra të tjerë të profesioneve të ndryshme), përfundon prapa grilave (si rasti i Mihail Kodorkovskit dhe qindra mijëra pronarëve të tjerë të bizneseve, që ishin bastisur prej shtetit) ose hiqen krejtësisht qafe (si rasti i liderit opozitar, Boris Nemcov ose gazetares Ana Politikovskaja). Ata që qëndrojnë në Rusi janë gjithnjë e më shumë të detyruar të përkrahin publikisht regjimin, sidomos në industritë e filmit dhe televizionit, ku ata tani shkrepin aparatet dhe kamerat sipas urdhrave nga lart.

Këndvështrimi i zotit Ostrovsky është unik. Ish-korrespondenti i «Financial Times» dhe së fundi i «Economist» nuk është korrespondent i huaj, por rus i lindur, i biri i një zyrtari të lartë të inteligjencës sovjetike. Proza e tij plot entuziazëm dhe analiza e thellë na ofrojnë një pasqyrë të kthjellët kristal për të zezat e Rusisë, por edhe ka përshkrim të procesit nëpërmjet të cilit idetë antimoderne kombinohen me veprime postmoderne për të zhveshur sistemin autoritar dhe kleptokratik të vendit.

Përqendrimi kryesor i zotit Ostrovsky në «The Invention of Russia» është fokusuar në mediat e dëgjueshme të vendit. E madhërishmja, për të cilën çdo rus mesatar është në gjendje të sakrifikojë, është ajo në të cilën janë të përqendruar programe televizive të drejtuesve kryesorë të tyre. Ceremonia e hapjes e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, ta zëmë, nuk lidhej krejtësisht me detyrat e nikoqirit të ngjarjes olimpike, por shihej si mundësi që kreatori Konstantin Ernst të krijonte përrallën që i shkonte për shtati traditës, ortodoksisë dhe fuqisë.

Mbase shembull më i tmerrshëm i efektit halucinant televiziv në popullsinë ruse ishte fabrikimi i tërësishëm i rrëfimit të vitit 2014 të një djaloshi trevjeçar që ishte kryqëzuar prej forcave ukrainase në Slavjansk – ndodhi që zoti Ostrovsky e krahason me «mekanizmin e testuar për nxitjen e urrejtjes, përdorur në masakrat hebraike në Rusinë pararevolucionare». Qëllimi i mbulimit të luftës në Ukrainë nga televizioni rus nuk është që të raportohet për luftimet, për si t’iu hidhet sa më shumë benzinë flakëve të luftës, vëren ai.

Për menaxherët e marrëdhënieve me publikun në Kremlin, që kontrollojnë mediat, shkruan zoti Ostrovsky, «fjalët dhe imazhet më nuk përçojnë realitetin; realiteti është konstruktuar që t’i japë vlerë asaj që shihet» në televizor. Në këtë proces, që të krijohet trupa e përshtatshme për kalanë e pathyeshme ruse, armiqtë rusë duhet të përshkruhen si njerëz që mund të bëjnë krime që as që mund të merren me mend. Kështu, pas aneksimit të Krimesë prej Rusisë më 2014, Ukraina më nuk konsiderohej shteti i brishtë dhe përnjëherë u shndërrua në bastion neofashist të aspiratave të NATO-s. Rrëzimi prej forcave proevropiane në sheshin «Maidan» i regjimit të Janukoviçit nuk mund më të portretizohej si veprim i kryer prej vetë popullsisë ukrainase, por duhej të konstruktohej si grusht djallëzor prej atij engjëlli të errësirës, ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland. Mbi të gjitha, ishte e domosdoshme të mohohej se kryengritja ukrainase ishte organizuar organikisht, duke parë se i njëjti proces po shtypej ashpër në Rusi.

Huqet më të vogla vënë në pah brishtësinë e kullës prej letre të makinerisë së ndërtuar prej Putinit. Kryeministri Dmitri Medvedev i kërkoi falje drejtpërdrejt në televizion në fund të majit një pensionisti që nuk la gjë pa i thënë pas uljes së pensioneve, duke shpjeguar se «qeveria nuk ka para». Ky ishte sensacion medial edhe për shkakun se lajmi u dha në kohën kur ishte zbuluar skandali botëror i «Panama Papers», ku besniku i Putinit, violonçelisti Sergei Roldugin kishte hapur llogari bankare «offshore», duke marrë hua prej dy miliardë dollarësh amerikanë prej një banke shtetërore ruse. Kur gazeta e lajmeve ekonomike RBC ia kushtoi ballinën këtij skandali, redaktorët ishin detyruar të jepnin dorëheqje, me Putinin që deklaronte se miku i tij Roldugin ishte i interesuar «vetëm për instrumente muzikore». Askush nuk i besoi kësaj përralle, por të gjithë u bashkuan në cinizmin e tyre të pritjes, që ishte kthim në praktikën sovjetike, ku e vërteta është ajo që thuhet zyrtarisht.

Është e qartë se akuza që vë në pah zoti Ostrovski kundër këtij realiteti mund të ketë rezultate të shumëfishta. Putinizmi mund të shndërrohet në parodi të pafund, ku shakatë për burokratët dhe besnikët e korruptuar të Kremlinit mund të ndikojnë në qëndrimin e Putinit. Në fillim të qershorit Twitter për turp bllokoi të gjitha shakatë në adresë të Kremlinit, me shumëkënd që pretendoi se i ishte nënshtruar presionit të Kremlinit. Një prej atyre ngacmimeve i ishte drejtuar edhe vetë Putinit @DarthPutinKGB. Përnjëherë shpërthyen komentet në mediat sociale, duke akuzuar Twitterin për censurë. Dhe në kohën e heqjes së këtyre pengesave virtuale, kishte mijëra të tjerë që po i bashkoheshin valles, duke dëshmuar se në fushëbetejën e rrenës, Kremlini i gjithëfuqishëm mund të mposhtet prej armiqve të përbetuar të paemër.

Por ngjasimi që e përshkruan për mrekulli zoti Ostrovsky mund të transformohet në hiperrealitet të llojit të vet. Sa më shumë që Perëndimi e konsideron Rusinë si kërcënim, aq më tepër Kremlini mund të përdorë veprimet e Perëndimit për t’i dhënë jetë realitetit të rrejshëm. Kur moderatori i emisionit televiziv, Dmitri Kisilev, ia kushton programet javë pas jave debatit plot mburrje se sa orë e ditë duhen që forcat ruse të arrijnë në shtetet baltike, Kiev, Varshavë e Berlin, duken qesharake për ata që e dinë se me çfarë probleme po përballet Rusia në Gjeorgji, Ukrainë e Siri.

Po të mos kishte nxitur Rusia luftë në Ukrainë, e gjithë kjo do të mund të mohohej si realizëm magjik. Por zoti Ostrovsky ishte në Krime kur Rusia aneksoi gadishullin, dhe e di fort mirë se sa shumë njerëz kishin parë neofashistët ukrainas në televizor, dhe u është mbushur mendja se ekzistojnë. Perëndimi do të bënte mirë ta kujtonte paralajmërimin e Churchillit se perandoritë e së nesërmes janë ide të së sotmes – ose së paku programe të tyre televizive.

(Karen Dawisha është drejtoreshë e Qendrës Havinghurst në Universitetin e Miamit në Ohio dhe është autore e «Putin’s Cleptocracy: Who Owns Russia?»)