Propagandë 

Foto: Shutterstock

Sot nuk i besoj askujt dhe asgjëje:
syve nuk u besoj,
veshëve nuk u besoj.
Kur mund të prek diçka, atëherë ndoshta besoj
se e tëra nuk është mashtrim.
Më kujtohen gjermanët e zymtë,
të burgosurit e pikëlluar të vitit dyzet e pesë,
si qëndronin me dorën në tegelin e pantallonave gjatë marrjes në pyetje.
Unë pyes, ata përgjigjen:
A i besoni Hitlerit? Jo, nuk i besoj.
A i besoni Göringut? Jo, nuk i besoj.
A i besoni Goebbelsit? Oh, propagandë!
E mua a më besoni? Heshtje për një çast.
Zoti komisar, nuk ju besoj.
Gjithçka është propagandë. Mbarë bota është propagandë”.

Katër rrokjet: pro-pa-gan-dë,
edhe sot më tingëllojnë në veshë:
Gjithçka është propagandë. Mbarë bota është propagandë.
Po të bëhesha fëmijë
dhe rishtas të mësoja në shkollën fillore
dhe po të më thoshin:
Volga derdhet në Detin Kaspik,
unë natyrisht do të besoja, por më parë
do të shkoja tamam te Volga,
valët e saj do të më bartnin te deti,
uji i saj paksa i turbullt do të më shpëlante
dhe tek atëherë unë – ndoshta – do të besoja…

Kuajt hanë tërshërë dhe sanë!
Gënjeshtër! Në dimrin e vitit dyzet e tetë
unë jetoja në Ukrainë, e cila ishte vetëm asht e lëkurë.
Në fillim kuajt hëngrën kashtë,
pastaj pullazet e këqija me kashtë,
pastaj i ndoqën në Harkiv në kërmëtari.
Vetë kam parë, me sytë e mi,
kuaj të rreptë, të matur, pothuaj plot dinjitet
se si të heshtur dhe pa nguti përfundonin në kërmëtari.

Ata shkuan, pastaj u ndalën,
mandej ranë dhe qëndruan gjatë shtrirë,
kuajt nuk ngordhën menjëherë…
Jo! Kjo nuk është e vërtetë! Gënjeshtër. Propagandë.
Gjithçka është propagandë. Mbarë bota është propagandë.
1954

Përktheu: Enver ROBELLI