Pronarët kërcënojnë me vetëdjegie nëse Komuna ua rrënon objektin

Protesta nuk duket më opsioni i fundit për të penguar rrënimin e objektit banesor dhe afarist nga Komuna e Skënderajt. Njëri nga pronarët e këtij objekti në qendër të Skënderajt ka paralajmëruar se do të vetëdigjet nëse komunarët shkojnë sot (e enjte) për t’ua rrënuar pronën e tyre.




Pronarët thonë se janë të vendosur që me çdo kusht ta mbrojnë pronën që i ndan pak hapa me objektin e ri të Komunës së Skënderajt, në rrugën «28 Nëntori» në qendër të qytetit, shkruan sot Koha Ditore.
«Jemi të vendosur deri në sakrificë sublime ku disa janë pajisur edhe me shishe molotovi. Do t’ia vë edhe zjarrin vetes», ka thënë njëri nga pronarët, që nuk deshi t’i përmendej emri.

I kanë shterur të gjitha mundësitë për të bërë ankesa, por deri tash thonë se askush nuk u ka dalë në ndihmë.

Njëri nga këta pronarë që ka banesë dhe lokal në objektin e vjetër më shumë se 60-vjeçar, Sami Tahiraj, ka thënë se është vendim unanim i të gjithëve për të mos dalë nga objekti, sepse, siç thotë ai, për teket e dikujt dhe egot që i kanë dëshirojnë t’i dëbojnë nga objekti.