Pronarët e qenve jetojnë më gjatë

Epidemiologët suedezë kanë konstatuar se kafshët shtëpiake të zgjasin jetën.

Foto: Shutterstock



Mendimi se kush ka një kafshë shtëpiake jeton më gjatë, mund të tingëllojë i pabesueshëm, një propagandë, ta zëmë, e pronarëve të qenve apo maceve. Por, ky mendim ka një bazë shkencore. Epidemiologët suedezë dëshmojnë në një studim për revistën «Scientific Reports» se pronarët e qenve jetojnë më gjatë dhe më rrallë vuajnë nga sëmundjet e zemrës.

Siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», shkencëtarët e Universitetit Uppsala kanë analizuar shëndetin dhe stilin e jetës të 3,4 milionë njerëzve të rritur. Ata kanë arritur në përfundimin se sidomos njerëzit që përndryshe kanë pak kontakte me të tjerët përfitojnë nga shoqërimi me kafshët shtëpiake. Gjatë studimit 12-vjeçar dijetarët suedezë konstatuan se te beqarët që janë pronarë të qenve vdekshmëria kishte rënë për 33 për qind, rreziku i sulmit në zemër te kjo kategori po ashtu kishte rënë për 12 për qind në krahasim me njerëzit pa qenë.

Tove Fall, udhëheqëse e grupit punues, tha se një shpjegim për këto rezultate është se të kesh një qen apo mace të bën të ndihesh mirë dhe të lehtëson kontaktet sociale. «Ndoshta kjo ndodhë për shkak se njerëzit me kafshë shtëpiake i kushtojnë më shumë kujdes shëndetit dhe kryesisht janë më aktivë», tha Fall. Pronarët e kafshëve shtëpiake vuajnë më pak nga tensioni i gjakut, diabeti, yndyrat. Ata po ashtu lëvizin më shumë, sepse janë të shtyrë të dalin të shëtisin me kafshët e tyre shtëpiake.

Por, edhe ata që kanë kafshë shtëpiake me të cilat nuk duhet të dalësh për të shëtitur – për shembull breshkë, peshq apo papagall – jetojnë shëndetshëm, sepse kujdesi ndaj kafshës apo shpezëve është një aspekt social që i bën zemrën apo enët e gjakut më elastike dhe i mban të shëndosha. Kështu zbutet ndjenja e stresit dhe gjasat për të rënë në depresion janë më të vogla. (dp)