Promovohet në Tiranë kryevepra «Danubi» e shkrimtarit italian Claudio Magris

Libri përmban meditime të një udhëtari mendjehapur që përshkon me përkushtim e dëshirë rrjedhën e Danubit plak, që nga burimet e deri në Detin e Zi, duke ripërtypur idetë mbi një jetë dhe kulturën bashkëkohore, mbi ngjarjet e rëndësishme dhe vragat e lëna në kohë.

Claudio Magris.



Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Ministrinë e Kulturës prezantuan veprën «Danubi» të shkrimtarit bashkëkohor italian, Claudio Magris. Në promovim morën pjesë autori, ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, përkthyesja e veprës, shkrimtarë, studiues, botues dhe studentë.

«Danubi», botim i Shtëpisë Botuese «Albas», vjen për lexuesin shqiptar përmes përkthimit të Alma Hafizit dhe është cilësuar si kryevepra e tij që e shënjon atë si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohorë italianë.

Peizazhe, humor, takime, reflektime dhe meditime të një udhëtari mendjehapur që përshkon me përkushtim e dëshirë rrjedhën e Danubit plak, që nga burimet e deri në Detin e Zi, duke ripërtypur idetë mbi një jetë dhe kulturën bashkëkohore, mbi ngjarjet e rëndësishme dhe vragat e lëna në kohë.

Autor i një sërë veprash letrare, eseistike, publicistike, pjesë teatrale si «Një identitet kufiri» (1982), «Stadelmann» (1988), «Utopia dhe zhgënjimi» (1999), «Udhëtim i pafund» (2005), «Historia nuk ka përfunduar» (2006), «Verbërisht» (2005), «Ekspozita» (2001), «Pra, ju do të kuptoni» (2006), «Etikë, politikë, laicizëm», «Alfabetet», «Ese letrare» (2009), «Shënime civile» dhe në vitin 2015 «Letërsia është hakmarrja ime» së bashku me Mario Vargas Llosa.

Fitues i një sërë çmimesh prestigjioze në fushën e letrave, Claudio Magrisit në vitin 1986 iu akordua çmimi «Bagutta» për veprën e tij «Danubi», çmimi «Strega» për romanin «Mikrokozme», çmimi «Principe delle Asturie», çmimi «Chiara» etj. Në vitin 2016 u vlerësua me Çmimin Kafka për «merita të larta letrare dhe aftësinë për të përfshirë lexuesin». (ATSH)