Prokuroria Themelore në Prizren ngre aktakuzë ndaj një gjyqtari dhe mjekut ligjor

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Behar Ymeri, për veprën penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, si dhe ndaj mjekut ligjor, Naim Haliti, për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare.




Prokuroria ka vendosur që të pushojë hetimet ndaj prokurorit Shefik Mehmeti nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ngase nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, shkruan sot «Koha Ditore».

4 vite më parë 17-vjeçarja Blerta Halimi, e cila tashmë është 21-vjeçare, ishte përplasur nga një veturë në fshatin ku banon, aksident ky që e ka lënë të palëvizshme.

Gjykata Komunale në Gjilan asokohe ka dënuar me 200 euro shkaktarin e aksidentit, Armend Maloku, nga Gjilan. Gjendjen e vajzës e ka cilësuar lëndim të lehtë trupor. Mirëpo superekspertiza e Komisionit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, e zhvilluar vitin e kaluar me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ka hedhur këtë poshtë duke e cilësuar si lëndim të rëndë trupor.

Në bazë të superekspertizës e cila është kryer nga Komisioni ligjor, i kryesuar nga Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe provave të tjera të siguruara, prokurori Genc Nixha ka ngritur aktakuzë ndaj Ymerit e Halitit.