Prokuroria Speciale e Maqedonisë do të vazhdojë të hetojë edhe pas përfundimit të mandatit

Një burim i afërt me Prokurorinë Speciale të Maqedonisë, ngarkuar me hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, tha se hetimet e saj nuk do të ndalonin edhe nëse afati 18-mujor për të ngritur akuza nuk rinovohet.

Prokuroria Speciale në Maqedoni. Foto: MIA



Prokuroria Speciale e Maqedonisë, SJO, me shumë gjasa nuk do ta marrë zgjatjen e mandatit, i nevojshëm për të përfunduar akuzat e ngritura, për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik në parlament. Shumica e çështjeve skadojnë në qershor dhe korrik.

«Në gjendjen aktuale jofunksionale, parlamenti nuk mund ta zgjasë mandatin e SJO-së… [pasi do të duhej që dy të tretat e deputetëve të votonin pro, rrethanë aktualisht e pamundur», tha ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafil Ivanovski.

Formuar në vjeshtën e vitit 2015 si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike të mbështetur nga BE-ja, SJO deri më tani ka nisur 14 hetime dhe ka ngritur aktakuza në tre çështje, pothuajse të gjithë zyrtarë të lidhur me ish-partinë qeverisëse VMRO DPMNE, që mori pushtetin në vitin 2006.

SJO filloi efektivisht punën gjatë dhjetorit pasi opozita dorëzoi materialet e përgjuara ku pretendonte se gjendeshin prova për shumë shkelje të zyrtarëve.

Megjithëse SJO ka një mandat pesëvjeçar, marrëveshja origjinale i dha kohë për të ngritur aktakuza deri në 18 muaj pas marrjes së përgjimeve.

Ky afat skadon në korrik. Për disa çështje të tjera, të cilat SJO i mori nga prokuroria e rregullt, afati është më i shkurtër.

Pavarësisht thirrjes së SJO-së për të zgjatur afatin prej ngarkesës së madhe të punës dhe pengesave që ka hasur parlamenti – ku punimet janë bllokuar nga VMRO DPMNE, nuk ka mundur të ndihmojë.

Që nga zgjedhjet jopërfundimtare të 11 dhjetorit, Maqedonia ka dështuar të formojë një qeveri të re dhe ende është e zhytur në krizë politike.

Partia VMRO DPMNE po bllokon punën e parlamentit, duke mos lejuar shumicën e re, të udhëhequr nga social demokratët të zgjedhin një kryetar dhe një qeveri të re.

SJO thotë se problemet me afatet nuk do t’ia ndalojnë punën. Kjo për shkak se ligji për Prokurorinë Speciale përcakton se ajo është e lirë të vazhdojë hetimet.

«Ligji e thotë qartazi se askush nuk mund ta pengojë SJO-në të vazhdojë procedurat paraprake dhe hetimore, si dhe të investigojë raste të reja. Shpresojmë që në të ardhmen konstelacioni politik të jetë më i favorshëm dhe pastaj të mund të kërkojmë përsëri zgjatjen e afatit», tha për BIRN një burim nga SJO, nën kushte anonimiteti.

Ivanovski tha se sapo të ndodhë tranzicioni i tanishëm i pushtetit dhe sapo të formohet qeveria e re e udhëhequr nga LSDM, puna për SJO do të bëhet shumë më e lehtë.

«Me rivendosjen e demokracisë, ky institucion do të marrë një rrugë tjetër. Deri atëherë prokuroria e rregullt, e cila ka dështuar të kryejë punën sipas ligjit, duhet të rifillojë funksionimin», tha Ivanovski.

Ai shtoi se në këtë rast, hetimet e përgatitura nga SJO mund t’i dorëzohen prokurorisë së rregullt e cila – e paprekur nga influenca politike – do të ishte në gjendje t’i dërgonte akuzat në gjykatë.

(https://www.reporter.al/prokuroria-speciale-e-maqedonise-do-te-vazhdoje-te-hetoje-edhe-pas-perfundimit-te-mandatit/)