Prokuroria nis hetimet ndaj deputetëve të dyshimtë për vepër penale

Prokuroria e Shtetit ka bërë me dije se departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.




«Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe intervistimi i deputetëve të dyshuar, për të cilën arsye sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti», njofton prokuroria e Shtetit.

«Deputeti Kurti është intervistuar në polici në prezencë të avokatit mbrojtës dhe menjëherë pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt», theksohet më tej në njoftim.

Prokuroria thotë se hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar dhe se opinioni do të njoftohet me kohë për rrjedhën hetimore.