Prokuroria ngre akuza për trafik droge dhe korrupsion ndaj Saimir Tahirit

Prokuroria për Krime të Rënda pritet t’i komunikoj akuzat për trafik lëndësh narkotike dhe korrupsion ish-ministrit të Brendshëm Samir Tahiri, i cili dyshohet se favorizonte një organizatë kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj.

Në shënjestër: Saimir Tahiri.



Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-zyrtarëve të lartë të policisë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës me bandën e Habilajve. Të enjten, më datë 28 shkurt pritet që Tahirit t’i komunikohen akuzat për përfshirje në trafik droge dhe korrupsion nga prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Ky veprim i organit të akuzës vjen pas vendimit të gjykatës të tre javëve më parë, që i kufizoi kohën prokurorëve të Krimeve të Rënda që po hetojnë ish-Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, duke u kërkuar atyre që të konkludojnë në një vendim përfundimtar deri më datë 10 mars. Ka qenë vetë ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, ai i cili ju drejtua më parë gjykatës me kërkesë për kundërshtim të zgjatjes për të disatën herë të hetimeve që zhvilloheshin ndaj tij.

«Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Deri më 10 mars koha numërohet mbrapsht, ka kohë deri atëherë. Nuk e shoh si lojë golash, e shoh si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon», pohoi atëherë ndër të tjera Tahiri. Më datë 17 janar 2019, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi shtyrjen e afateve të hetimit me tre muaj të tjerë për Tahirin, në pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara nga autoritetet e drejtësisë italiane dhe atyre të Malit të Zi. Po ashtu u vendos shtyrja e hetimit edhe për Jaeld Çelën, por të dy ata vendosën të kundërshtojnë me ankim në gjykatë.

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e Armando Koçerrit u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 ton cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri.

Çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit «Habilaj», të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. Gjatë kësaj periudhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë pesë herë afatin e hetimeve, duke pretenduar se ishte në pritje të marrjes së letër-porosive nga Italia dhe Mali i Zi. Tahiri ishte akuzuar edhe më herët për lidhje me vëllezërit Habilaj, me të cilët ka edhe një lidhje farefisnore dhe u kishte shitur një makinë, të cilën më pas e kishte ripërdorur, por një hetim mbi këtë u mbyll pa rezultat.