Prokuroria e Shtetit lëshon komunikatë të rrejshme

«Një prokuror special i EULEX-it, i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt dhe gjashtë bashkë të pandehurve të tjerë për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtuquajturën çështje të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.




Veprat penale për të cilat akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010; ndërsa në lidhje me pastrimin të parave mes vitit 2009 dhe 2012», shkruan në një komunikatë të EULEX-it të lëshuar më 16 nëntor 2012, shkruan sot «Koha Ditore».

Tre vjet më vonë, Prokuroria ka lëshuar një tjetër komunikatë me të cilën thotë se Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt dhe katër të tjerëve për korrupsion në rastin e MTPT-së.

«Dje, një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT) kundër pesë të pandehurve, në përputhje me Urdhrin e Gjykatës së Apelit», thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit, të lëshuar të martën.

Në fakt Prokuroria është munduar që bashkimin e dy aktakuzave në rastin e Ministrisë së Transportit, sipas urdhrit të Gjykatës së Apelit, t’i prezantojë si aktakuzë të re.