Prokuroria do të negociojë me të akuzuarit për pranim të fajësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë një muaj kohë Prokurorisë dhe dy ish-punëtorëve të Bankës NLB me degë në Suharekë për të negociuar për pranimin e fajësisë.




Ata dyshohen së bashkë me tre ish-punëtorë të tjerë, për më shumë se tre vjet kishin përfituar kundërligjshëm pasuri, duke nënshkruar kontrata fiktive me klientë në vlerë prej qindra e mijëra eurosh duke bërë transferime dhe tërheqje parash nga xhirollogari të dhjetëra klientëve, pa dijeninë e tyre.

Për këto veprime, Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, Besnik Delijaj dhe Miradije Morina, akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për disa vepra penale: për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit. I akuzuari Ademaj, në atë kohë ishte drejtor i ekspoziturës së NLB-së, ndërsa Krasniqi, këshilltar i klientëve, shkruan sot «Koha Ditore».

Gjatë seancës të mbajtur, të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është shtruar mundësia e pranimit të fajësisë prej këtyre të dyve, të cilët janë edhe të akuzuarit kryesorë. Mirëpo, avokatët mbrojtës kanë thënë se këtë mund ta bëjnë vetëm pasi të negociojnë me Prokurorinë.