Prokurori amerikan Williamson: Pas dëshmive të Rugovës ngritëm akuzën kundër Miloševićit

Diplomati dhe prokurori amerikan Clint Williamson tregon se si e takoi Ibrahim Rugovën në Romë në vitin 1999 dhe si ndihmuan dëshmitë e tij për ta nxjerrë diktatorin serb para gjyqit. Detaje nga: Clint Williamson «Real Justice, in time: The Initial Indictment of Milosevic» në librin «The Milosevic Trial: An Autopsy», edituar nga Timothy William Waters, Oxford University Press, 2013.

Ibrahim Rugova me rastin e vizitës në selinë e NATO-s më 18 maj 1999 në Bruksel.

Me gjasë me rëndësi të madhe është fakti se për herë të parë gjatë luftërave në Jugosllavi, në luftën e Kosovës Miloševići legalisht kishte pozitë komanduese ndaj individëve që kryenin krime. Në korrik të vitit 1997 ai kaloi nga roli i Presidentit të Serbisë në atë të Presidentit të RFJ-së, dhe në këtë pozitë të re ai u bë Komandant Suprem (Vrhovni Komandant) i Ushtrisë Jugosllave, pozitë që e mbajti deri kur ra nga pushteti në tetor të vitit 2000. Ne besonim që kjo i kishte dhënë atij autoritet operativ mbi njësitë policore serbo-jugosllave gjatë tërë periudhës së konfliktit në Kosovë. Ky autoritet formal e kishte thjeshtëzuar shumë ndërtimin e rastit kundër Miloševićit, sepse ne e dinim nga intervistat tona dhe informatat tjera se vrasjet dhe deportimet po kryheshin nga njësi të përziera policore-ushtarake.

Po ashtu, kur ishte në pyetje Kosova, Miloševići nuk ishte i kujdesshëm me bashkëbiseduesit e jashtëm. Gjuhën e ndërtuar me kujdes që e përdorte kur fliste për Kroacinë dhe Bosnjën, e kishte braktisur dhe e kishte zëvendësuar me deklarata të stuhishme dhe agresive sa i takon Kosovës. Ai refuzonte të pranonte që forcat serbe ishin përgjegjëse për krime, por ishte shumë kategorik për të drejtën e Serbisë që të bënte në Kosovë çfarëdo që e ndiente të nevojshme. Për shkak se Kosova ishte krahinë e Serbisë, ai e shihte situatën atje si çështje krejtësisht të brendshme, në të cilën ndërhyrja e jashtme nuk do të tolerohet. Në diskutime me diplomatë të huaj dhe zyrtarë ushtarakë, Miloševići ishte më i hapur se sa që kishte qenë ndonjëherë rreth rolit të tij në konfliktin në Kosovë, duke e pranuar autoritetin e vet mbi forcat që operonin atje.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe krimeve të tmerrshme, ishte e vështirë të hartoheshin raporte për incidentet specifike sepse në krahinë nuk kishte mbikëqyrës të huaj. Për disa bashkëbisedues të huaj që bisedonin akoma me Miloševićin, kishte në dispozicion të dhëna të pakta konkrete me të cilat ata e konfrontonin atë. Një aspekt që ishte i dukshëm për secilin, ishte eksodi masiv i qindra mijëra shqiptarëve etnikë civilë nga Kosova, të cilët erdhën në vendet fqinje me tregime të dhunës së ushtruar ndaj komunitetit të tyre dhe të dëbimeve të dhunshme nga shtëpitë e tyre. Miloševići i kundërshtonte këto si gënjeshtra shqiptare ose keqinterpretime të incidenteve, ku viktimat e supozuara në të vërtetë kanë qenë palë të angazhuara në konflikt me forcat legjitime serbe. Sa i përket dëbimeve, ai i hidhte poshtë edhe ato, duke thënë se ata që po e braktisin Kosovën, po e bëjnë këtë vullnetarisht, duke ikur nga bombat e NATO-s.

Miloševići e përsëriste këtë shpjegim edhe kur gjatë bombardimeve të NATO-s u takua në Beograd me Ibrahim Rugovën, udhëheqësin e shqiptarëve të Kosovës. Miloševići kishte pasur pak kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarët në të kaluarën, por me zgjerimin e luftës, kur nuk kishte gjasa të dukshme për përfundimin e fushatës bombarduese të NATO-s, dhe kur spekulohej shumë për fatin e Rugovës, Miloševići e kishte ftuar Rugovën në takim – takimi i dytë i tyre brenda më pak se një viti – dhe i kishte dërguar veturën për ta marrë. Pas takimit, Rugova ishte lejuar ta lëshonte Serbinë dhe ishte pranuar si refugjat nga qeveria italiane. Menjëherë pasi kishte mbërri në Itali në maj të vitit 1999, e takova në një vilë të Renesancës në kodrat jashtë Romës, dhe e intervistova në një dhomë me piktura muri të shekullit ‘16 – larg kaosit që sapo e kishte lënë në Kosovë. Shefi i stafit të tij, Adnan Merovci, i cili e kishte shoqëruar në takimin me Miloševićin, dhe që kishte ardhur me të në Romë, ishte në dhomë me ne. Merovci kishte marrë shënime të hollësishme nga takimi me Miloševićin dhe ishte në gjendje të tregonte në hollësi se çfarë ishte diskutuar.

Sa i përket takimit të Rugovës me Miloševićin, me rëndësi ishte fakti se Rugova kishte qenë në Kosovë pas fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s dhe intensifikimit të dhunës kundër civilëve, e për rrjedhojë kishte qenë në gjendje t’i jepte Miloševićit të dhëna të dorës së parë për krimet që po kryheshin nga forcat që ishin nën komandën e tij. Kjo dallonte nga ajo që bashkëbiseduesit e jashtëm, që nuk kishin fare qasje në Kosovë, mund t’i thoshin Miloševićit. Kur ata ngrinin çështjen e krimeve, Miloševići përgjithësisht i mohonte këto pretendime si ekzagjerime ose propagandë; me Rugovën e kishte të vështirë ta bënte këtë, pasi që Rugova ishte në gjendje të përmendte incidente specifike dhe Miloševići përgjigjej duke thënë se do t’i shqyrtonte këto raste – një ndryshim nga qëndrimi i tij i zakonshëm mohues se po ndodhnin gjëra të tilla. Pasi e mbarova takimin me Rugovën dhe Merovcin dhe u ktheva në aeroportin e Romës, u ndjeva se më në fund e kemi kaluar pragun e dëshmisë së drejtpërdrejtë që tregonte dijeninë e Miloševićit për dhunën që po kryhej nga forcat që ishin nën komandën e tij dhe për de facto rolin mbikëqyrës të tij. Rugova dhe Merovci na pajisën me dëshmi të forta edhe kundër dy personave tjerë, të cilët përfundimisht do të akuzoheshin bashkë me Miloševićin – Presidenti i Serbisë Milan Milutinović dhe zëvendës-kryeministri i RFJ-së Nikola Šainović, përfaqësues i posaçëm i Miloševićit për gjendjen në Kosovë. Rugova dhe Merovci kishin pasur kontakte të drejtpërdrejta me të dy dhe ishin në gjendje të përshkruanin shkallën e përfshirjes së tyre në Kosovë.

Edhe pse informacioni nga Rugova dhe Merovci ishte më i spikatur sesa ai që ofronin bashkëbiseduesit tjerë ndërkombëtarë të Miloševićit, në fillim të majit kompiluam një mori deklaratash të Miloševićit – përmes intervistave me persona që e kishin takuar Miloševićin dhe burimeve tjera, si për shembull raporteve televizive – që konfirmonin rolin mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të tij në ngjarjet në Kosovë. E kombinuar me atë që kishim krijuar lidhur me përgjegjësinë e tij de jure, ne ndiheshim të sigurt se tanimë Miloševići mund të ndiqej penalisht.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.