Prokurorë e gjykatës nga BE dhe SHBA mbërrijnë në Tiranë për vetingun

Një grup ekspertësh të nivelit të lartë nisën sot misionin e pazakontë dhe të kushtueshëm për taksapaguesit europianë për «krijimin e besimit» te shqiptarët se procesi i vetingut, thelbi i reformës në drejtësi, do të funksionojë siç duhet.

Genoveva Ruiz Calavera. Foto: Gent Shkullaku/LSA



Fillimisht do të jetë një bord, udhëhequr nga znj. Genoveva Ruiz Calavera, aktualisht drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Bisedimet për Zgjerim të Komisionit Europian. Ky bord do të dërgojë skuadra monitoruesish të përbërë nga gjykatës e prokurorë të lartë nga vendet anëtare të BE-s dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Detyra e tyre është që të monitorojnë procesin e krijimit të institucionit të vetingut, si dhe procesin e rivlerësimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Zyrtarët e misionit theksuan para së gjithash se roli i tyre do të jetë «monitorues» dhe se vendimmarrja finale i përket autoriteteve shqiptare. Por ata theksuan gjithashtu se funksioni i tyre konsiston në «krijimin besimit te publiku mbi këtë reformë».

Anëtarët e bordit, profilet e të cilëve u publikuan në faqen e Delegacionit Europian në Tiranë,  janë zyrtarë të lartë me eksperiencë në antikorrupsion, drejtësi penale, konfiskim asetesh produktesh kriminale, gjykatës me eksperiencë në arsim dhe prokurorë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha këto do t’i ndodhin gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë, të cilët janë nën ethet e deklarimit të pasurive dhe justifikimit të këtyre pasurive. Por niveli i lartë i ekspertëve si dhe fondet e konsiderueshme që pritet të shpenzohen për të mbuluar kostot e monitorimit tregon për seriozitetin me të cilin faktori ndërkombëtar, i cili konkretisht përbëhet nga BE dhhe SHBA, po e trajton reformën në drejtësi.

Në fund, zyrtarët e BE theksuan sot se roli i tyre është «monitorues», nuk do të ketë vendimmarrje dhe as «cënim të sovranitetit të Shqipërisë». Vendimmarrja finale do t’i përkasë autoriteteve shqiptare. Komisioni i Vetingut, i cili do të përbëhet nga katër nënkomisione me nga tre anëtarë secili si dhe një dhomë apelimi me shtatë anëtarë, do të përbëhet në tërësi nga shtetas shqiptarë.

Por ajo që do të bëjnë monitoruesit ndërkombëtarë është që do të veprojnë si anëtarë të komisionit të vetingut pa pasur të drejtën e votës.

«Ndërsa Bordi Menaxhues i Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të performojë një rol monitorues, ai nuk do të marrë asnjë vendim ekzekutiv. Të gjitha vendimet i përkasin autoriteteve kombëtare», deklaroi Genoveva Ruiz Calavera në emër të Bordit Menaxhues sot.

«Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit do ta kryejë detyrën e vet me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me ligjin», theksoi ajo.

Synimi final i misionit, i vetingut dhe i të gjithë reformës në drejtësi, është krijimi i një sistemi të drejtësisë të pavarur nga politika, të ndëshkueshëm për abuzimet, llogaridhënës dhe profesionist.

Por pavarësisht se ngjan bukur në letër, rruga duket e gjatë dhe e vështirë dhe Bordi Menaxhues i Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit duket i vetëdijshëm se ka një konflikt mes interesit aktual të politikës shqiptare, e cila e ka pasur nën kontroll apo ka pasur mundësi të ndikojë në mënyrë thelbësore mbi sistemin e drejtësisë, e që, instiktivisht do të përpiqet ta ruajë këtë rol, me misionin e të gjithë reformës në drejtësi, që synon të zhdukë këtë varësi.

Dhe ndërsa misioni i monitorimit premton se do të jetë strikt në punën e vet, deklarata e Ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu e javës së kaluar dhe denoncimi publik prej tij i kryeprokurorit Adriatik Llalla si pengues i reformës në drejtësi, shoqëruar me kundërakuzat e Llallës në drejtim të Ambasadorit Lu,  sugjerojnë se puna e pazakontë e misionit të monitorimit nuk do të jetë aspak e lehtë.

Mekanizmi i presionit aktualisht i disponueshëm prej monitoruesve duket se është ndikimi që opinioni i këtij misioni do të ketë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në rast se vetingu funksionon dhe reforma në drejtësi mbyllet me sukses, Shqipëria do të kapërcejë një pengesë madhore në rrugën drejt integrimit. Por nëse ky mekanizëm presioni do të mjaftojë për të kapërcyer rezistencën mes politikanëve si dhe mes njerëzve aktualisht në sistemin e drejtësisë në pritje të vetingut, kjo mbetet për t’u parë.

(https://www.reporter.al/prokurore-e-gjykates-nga-be-dhe-shba-mberrijne-ne-tirane-per-vetingun/)