Projekti «Gjilani i Ri» në diskutim publik

Autoritete komunale të Gjilanit kanë mbajtur një debat publik në të cilin është diskutuar për projektin «Gjilani i Ri».




Nënkryetari Rexhep Kadriu tha se me këtë plan, përfitues do të jenë edhe qytetarët, shkruan sot «Koha Ditore».

«Ky është interes i juaji sepse po e bëjmë një zonë të re që do të quhet «Gjilani i ri». Shumë shpejt do të nis rruga Gjilan-Bujanoc, e cila do të bëhet me standarde evropiane», tha Kadriu.

Ai ka garantuar qytetarët se shpronësimi do të bëhet në mënyrë më të mirë të mundshme dhe se vlerësimin do ta bëjë një Komision Qeveritar, ndërsa ka shtuar se zhvillimi i kësaj lagjeje përkthehet me zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, Valon Shefiu, drejtor për Urbanizëm, the se në kuadër të kësaj zone është paraparë plani për banim kolektiv dhe individual, pastaj hapësirat publike, shkollat, çerdhet, ambulancat dhe specifikë më e veçantë është planifikimi për ndërtimin e kampusit universitar tek kazerma e FSK-së.

Ndërkaq Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër, ka pohuar se kompensimi do të bëhet sipas ligjeve aktuale në fuqi.