Progresi i rivalëve i heq shkëlqimin fitores së BDI në Maqedoni

Fitorja e BDI në kampin e shqiptarëve në Maqedoni ishte si e Pirros – ajo u la në hije nga suksesi i partive të reja dhe nga kalimi i disa votuesve në anën e Socialdemokratëve.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI.



Ku shkuan votat e shqiptarëve etnikë në Maqedoni dhe përse rezultuan në më pak deputetë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë? Kryesisht, lidhet me modelin elektoral të vendit dhe shpërndarjen disproporcionale të votuesve në gjashtë njësitë zgjedhore të Maqedonisë.

Në njësinë e gjashtë elektorale në Maqedoninë veriperëndimore, ku shqiptarët etnikë janë të përqendruar, numri i votuesve është më i lartë sesa lejohet me ligj me 5 për qind nga limiti, që do të thotë se këto vota llogariten për më pak se votat në pesë njësitë e tjera, që kontribuojnë njëlloj me 20 deputetë në parlamentin me 120 vende.

Kështu, partia në koalicionin qeverisës, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, këtë herë ka fituar dhjetë deputetë, lëvizja e sapo formuar BESA ka fituar pesë, PDSH- Lëvizja për Reformat fitoi tre, ndërsa Partia Demokratike e Shqiptarëve fitoi dy. Numri i deputetëve shqiptar, pra, ka rënë nga 27 në zgjedhjet e vitit 2014 në vetëm 20.

Social Demokratët fituan disa vota shqiptare

Në këto zgjedhje, partitë etnike shqiptare fituan një total prej 210, 847 votash në krahasim me 237,000 vota që fituan në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2014. Edhe pse pjesëmarrja në votime u rrit me 5 për qind në përgjithësi, partitë shqiptare kanë humbur më shumë se 27.000 vota.

Është vlerësuar se kjo shumë e votave shqiptare shkoi kryesisht te partia kryesore opozitare, Bashkimi Social Demokrat, LSDM, për herë të parë që kur Maqedonia u bë e pavarur.

Rezultatet tregojnë se nuk ka pothuajse asnjë qytet apo fshat të dominuar nga shqiptarët etnikë ku LSDM-ja nuk ka fituar disa vota shqiptare. Në Dibër, për shembull, ku shqiptarët janë shumicë, SDSM fitoi 1170 vota, më shumë se BDI që mori 1,015. Në Tetovë, një qytet tjetër i dominuar nga shqiptarët, SDSM fitoi 7,700 vota dhe në Gostivar, 8,200. Në komunën shqiptare të Bogovinës, SDSM fitoi 1,044 vota, ndërsa në komunën e Zhelinës fitoi 377 vota. Në Komunën e Sarajit, në afërsi të kryeqytetit, Shkupit ku shqiptarët përbëjnë 95 për qind të popullsisë SDSM fitoi 2,973 vota.

LSDM pati një fitore bindëse në komunën Haraçinë të dominuar nga shqiptarët, afër Shkupit, ku mori 2,052 vota, më shumë se 1,456 votat që shkuan për BDI. Humbja e BDI-së në Haraçinë është veçanërisht e dhimbshme për këtë parti, pasi gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, kryengritësit tashmë të shpërbërë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare] udhëheqja e të cilit më vonë formoi BDI-në, e shpallën këtë zonë të çliruar dhe partia ka fituar zgjedhjet atje çdo vit që atëherë.

Votimi shqiptar për LSDM është një votë për të ndëshkuar qeverinë ku BDI ka qenë pjesë për tetë vjet së bashku me partinë e qendrës së djathtë VMRO DPMNE.

Në të njëjtën kohë, kjo është gjithashtu një shenjë pakënaqësie me partitë e sapoformuara shqiptare, të cilat kanë dështuar të mbajnë të bashkuar votën shqiptare.

Disa prej votave të shqiptarëve shkuan për LSDM, megjithatë, si rezultat i politikave të promovuara nga udhëheqësi LSDM, Zoran Zaev, veçanërisht prej premtimeve të tij për paga më të larta dhe taksa më të ulëta, por edhe prej platformës së tij të përgjithshëm politike që u promovua si qytetare dhe joetnike.

Fitore si e Pirros për BDI

Ndërsa BDI fitoi 86,812 vota ose 7.30 për qind të të gjitha votave të dielën, shifra ishte shumë më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2014, kur partia fitoi 153,649 vota ose 13.71 për qind të të gjitha votave.

Në lidhje me deputetët, kjo përkthehet në një rënie të mprehtë nga 19 në vitin 2014 në vetëm 10. Arsyeja për këtë rezultat të dobët është mbi të gjitha pjesëmarrja e partisë në qeveri dhe dështimi i saj për të përmbushur premtimet, veçanërisht ato në lidhje me integrimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE. BDI e kishte bërë integrimin në Euro-Atlantik të Maqedonisë prioritet të saj, përpara çështjeve si statusi i shqiptarëve në vend dhe të drejtat e tyre kolektive.

Njëkohësisht, votuesit janë revoltuar për shkak se qeveria ku BDI është pjesë, kreu projekte mono-etnike si Ndryshimi i Madh i kryeqytetit maqedonas, i quajtur Shkupi 2014, ndërsa investimet e qeverisë në zonat ku jetojnë shqiptarët kanë qenë në minimum.

Që nga viti 2008, kur BDI hyri në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE, partia ka marrë kritika se ka pranuar rolin e vartësit. Ajo është quajtur shpesh një palë vasale për VMRO DPMNE. Ish-kryetarja afatgjatë e BDI, Teuta Arifi, dikur iu përgjigj këtyre akuzave duke shkruar: «VMRO DPMNE mund të përdorë BDI-në, por jo shqiptarët».

Rezultatet në zgjedhje të BESËS, një befasi

Surpriza në këto zgjedhje janë rezultatet e lëvizjes së sapoformuar BESA, e cila fitoi 57,927 vota ose 4.87 për qind të të gjitha votave. BESA është një subjekt i ri dhe autentik në politikë, që nuk vjen nga asnjë prej dy partive tradicionalisht të forta shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH.

Kjo parti përbëhet nga intelektualë të rinj, të cilët në dhjetë vitet e fundit kanë punuar në OJQ të ndryshme. Liderët e Besës nuk e fshehin faktin se janë besimtarë fetarë gjithashtu. Përkundrazi, një nga sloganet e saj në zgjedhje që u shfaq në një video promovuese ishte: «Nëse besoni në Zot!»

Duke pasur parasysh se feja luan një rol të rëndësishëm në komunitetin shqiptar, është e sigurt të themi se disa votues e mbështetën atë për shkak të ndjenjës fetare. Ajo gjithashtu përbëhet njerëz të cilët nuk janë njollosur nga skandalet dhe të cilët nuk janë të lodhur në kuptimin politik.

Ndërsa disa nga votuesit që votuan për këtë parti deshën të ndëshkonin BDI për politikat e saj, disa anëtarë të Besës janë edhe vetë ish-anëtarë të BDI. Por fushata zgjedhore e BDI-së u përqendrua kundër kësaj partie, që gjithashtu kontribuoi në rezultate të mira për Besën.

I humburi i padiskutueshëm në këto zgjedhje në bllokun shqiptar është Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e cila fitoi vetëm 31.017 vota ose 2.61 për qind të të gjitha votave. Kjo përmbën më pak se gjysmën e votave që partia fitoi në vitin 2014, ku mori 66,393 vota ose 5.92 për qind të të gjitha votave.

Faktorët kryesorë që sollën këtë rezultat të keq janë pakënaqësitë te anëtarët e partisë për dështimin e PDSH-së për vetëreformim dhe fakti se lideri i partisë, Menduh Thaçi, tha fjalën e fundit për këtë.

Kjo përfshin edhe ish-anëtarin e PDSH dhe kryetarin e komunës së Strugës, Zijadin Sela i cili në pamundësi për të nxitur reformat brenda partisë, formoi një parti tjetër, PDSH – Lëvizja për Reformat.

Partia e re e Selës rezultoi më e suksesshme se PDSH. Ajo fitoi 35,091 vota ose 2.95 për qind të të gjitha votave, që është një rezultat i mirë për një subjekt të ri politik. Fushata e tij elektorale pati një frymë të të freskët në kuptimin e saj që ofroi. Një faktor tjetër që solli suksesin e tij ishte se dominoi qytetin e Strugës, ku arriti të fitojë një deputet.

BDI do të presë lidhjet me partnerin e vjetër

Në një konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, DIK, i dha fund dilemës për numrin e saktë të votave që i shkuan secilës prej dy partive kryesore në Maqedoni.

Partia kryesore në pushtet VMRO DPMNE ka fituar 51 vende në parlament, ndërsa Social Demokratët morën 49 vende në parlamentin 120 vendesh, tha DIK.

Duke pasur parasysh këto rezultate, BDI nuk ka gjasa që të jetë pjesë e skenarit për formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga VMRO DPMNE, e cila do të ketë mbështetjen e vetëm 61 deputetëve – minimumi në parlament.

Për BDI hyrja në një qeveri të tillë do të ishte një lëvizje politike dëmtuese, pasi partia vuajti tashmë shumë në këto zgjedhje për aleancën e pakushtëzuar me VMRO DPMNE.

Megjithatë, nëse partia vendos që të qëndrojë krah VMRO DPMNE, kjo mund të sjellë një tjetër shkatërrim të imazhit të partisë në zgjedhjet e ardhshme lokale, të planifikuara për në muajin maj të vitit të ardhshëm.

BESA dhe PDSH tashmë e kanë shpallur publikisht se nuk do të bashkëpunojnë me VMRO DPMNE të udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ndërsa lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka thënë se partia e tij do t’ia japë dy deputetët e vet Besës mënyrë që partia të ketë pozitë më të mirë në bisedimet për formimin e një qeverie të re.

Deri më tani, asnjë nga partitë shqiptare nuk ka hedhur poshtë bashkëpunimin e mundshëm me LSDM në opozitë. Këtu përfshihet edhe BDI, që ishte mbajti pushtetin me LSDM nga viti 2002 deri 2006.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/progresi-i-rivaleve-i-heq-shkelqimin-fitores-se-bdi-ne-maqedoni/)