Program për deradikalizimin e adoleshentëve xhihadistë

Klinika Psikiatrike e Universitetit të Cyrihut ka zhvilluar një program, me të cilin mendon t’i deradikalizojë adoleshentët e prirur për xhihad. Trajtimet e para tanimë kanë filluar. Besohet se këtu bëjnë pjesë dy të rinjtë shqiptarë që u larguan për në xhihad dhe para dhjetë muajsh u kthyen në Zvicër.

Prindi në kërkim të fëmijëve të tij, vëlla e motër, të arratisur për në xhihad. Imazh i përhapur gjithandej...

Një studim pretendon që Zvicrës i mungojnë masat e parandalimit të udhëtarëve të xhihadit dhe të kthyerve nga këto aksione. Tages Anzeiger raporton për rëndësinë që i jepet tani një programi të ri të Qendrës për Forensikën e Fëmijëve dhe të Rinjve në Klinikën Psiikiatrike të Universitetit të Cyrihut.

Ngritja e këtij programi është nxitur nga Prokuroria e të Rinjve e Winterthurit, qytetit nga thuhet se janë nisur shumica e të ashtuquajturve udhëtarë të xhihadit për në Siri, a Irak. Shkak për këtë program, në fakt, është bërë një dyshe të rinjsh, vëlla e motër shqiptarë, të cilët më 2014 u arratisën nga Zvicra për në xhihad. Këta para dhjetë muajsh u kthyen sërish në Zvicër, dhe tani duhet të trajtohen në këtë program të ri preventiv, ndonëse Qendra as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në programin e deradikalizimit.

Programi do të zhvillohet në njëmbëdhjetë seanca nga dy orë. Ai në radhë të parë është konceptuar për të rinj, që gjinden në prag të radikalizimit. Dhe si shenja për këtë merren mbulimi apo vjelja e informacioneve nga kjo sferë në internet. Nëse flitet për raste tanimë të radikalizuara, parashihen masa plotësuese trajtimi, si terapitë familjare. Varësisht nga shkalla e radikalizimit dhe sfondi personal, do të zhvillohen biseda të veçanta apo në grup. Për ta përcaktuar se cila formë e terapisë përshtatet më së miri, të rinjtë ndahen në tre shkallë: verdhë, portokalli dhe kuq.

Në grupin e të verdhëve bëjnë pjesë të rinjtë të cilët flirtojnë me radikalizimin. Për këtë grup rekomandohen bisada në një grup prej dy deri pesë persona. Te portokallia flitet për të rinj të cilët e kanë shijuar radikalizimin. Këtu parashihen biseda të veçuara, që shkojnë më në thellësi të personit. Të kuqtë janë të rinj të radikalizuar dhe të gatshëm për veprim. Për këta programi i ri parashihet vetëm si një plotësim i masave të tjera. Në këto raste bëhet një vlerësim i specializuar psikiatrik.

Në këtë stad të punës, përgjegjësi i programit rrëfen se duke qenë në procedura hetimi, të rinjtë kanë vështirësi të krijojnë besimin e nevojshëm për trajtim. Terapeutët kanë edhe një fuksion kontrolli, ata duhet t’ia raportojnë prokurorisë përmbajtjet eventuale penale. Kjo e ndërlikon terapinë, duke qenë se të rinjtë e dinë se janë duke u vëzhguar. Me trajtimin kanë filluar rastet të cilat tanimë kanë bërë përvojat e para me radikalizimin. Grupi i të verdhëve dhe portokalli nuk ka filluar ende. Ato i dërgohen Qendrës nga prokuroria. Një problem është edhe sqarimi i financimit të trajtimit të tyre. ks