Profili për përralla dhe gjelat majë plehu

Dështimi i projektit për investime në Brezovicë është pasojë e politikave të dëmshme të një sundimtari. Emri i tij është: Hashim Thaçi. Përmes tij po forcohet roli i Serbisë në Kosovë dhe shqiptarët po shndërrohen në mysafirë në vendin e vet.

Foto: Shutterstock

Facebookut nuk i dhemb. Shkruaj çfarë të duash në të. As Twitteri shpirt s’ka. Duron çdo shkronjë. Po të shikohen postimet e viteve të fundit të Hashim Thaçit në mediumet sociale, atëherë do të vërehen aq shumë premtime për investime gjigante, madhështore, për mrekulli ekonomike, saqë nganjëherë krijohet përshtypja që Kosova është shndërruar në Singapor apo Zvicër.

Më 17 nëntor 2014 Thaçi, si kryeministër në detyrë, në profilin e tij në Facebook shkruante: «Ky investim (në Brezovicë, v.j.) do ta shndërrojë Kosovën në qendër të turizmit dimëror duke hapur 3000 vende të reja të punës. Mbi 35 kilometra pista skijimi do të ndërtohen që në fazën e parë, 7 skiliftë edhe pajisje për turizëm veror si akuaparku». Ky investim, thoshte Thaçi, shënon përfundimin e një procesi transparent, serioz dhe me pasoja afatgjata për ekonominë kosovare: «Falënderoj Komisionin Europian, USAID, ministrat dhe komunat e involvuara. Urime edhe qytetarëve».
Tash jemi në qershor të vitit 2016 dhe të gjithë e kanë kuptuar se projekti për investime në Brezovicë nga konzorciumi «MDP Consulting – Compagnie des Alpes» ka dështuar.
3000 vende të punes? Humor!
35 kilometra pista skijimi? Një gënjeshtër e gjatë 35 kilometra.
Akuaparku? Notoni në gjolin e Batllavës.
400 milionë euro investime? 400 rrena.
«Urime edhe qytetarëve».

Dështimi i projektit për shndërrimin e Brezovicës në «qendër të turizmit botëror» do të ketë pasoja; do të na zë mallkimi i Boris Johnsonit, ish-kryetarit të Londës. «Pata kënaqësinë që të takohem dhe të bisedoj edhe me Prefektin e Londrës, Boris Johnson. Ai i kujtoi ditët kur ishte në Kosovë, si gazetar, ndërsa unë e ftova që të vijë përsëri, këtë herë për të skijuar në Brezovicë, ftesë të cilën e priti me gëzim», kishte shkruar Thaçi në shtator 2015, sërish në profilin e tij në Facebook. Boris, sorry! Shko në Bankso të Bullgarisë.

Në vitin 2011 ambasadori i atëhershëm amerikan Christopher Dell i kishte tubuar në Bansko anëtarët e Qeverisë së Kosovës për të përgatitur një plan për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në janar 2012 Dell i entuziazmuar deklaronte: «Plani Bansko është një pikë e rëndësishme e nisjes për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Udhëheqësit që përfundimisht do ta jetësojnë këtë plan do të sjellin ndryshim të madh për të ardhmen e vendit tuaj».
Ndërkohë Dell, një bixhozçi politik, ka përfunduar si argat i firmës Bechtel diku në Afrikë, pasi për disa vite kishte qenë menaxher jozyrtar i kësaj kompanie në Prishtinë, kuptohet i maskuar si ambasador i SHBA-së. Ndoshta për ta realizuar projektin e Brezovicës Hashim Thaçi duhet të shkojë deri në Mozambik për ta bindur Dellin që të kthehet në Kosovë. Bashkë me Dellin këta do ta privatizojnë jo vetëm Brezovicën, por edhe ajrin e Kosovës.

Në komedinë e Brezovicës ka qenë e involvuar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, respektivisht shefi i saj Samuel Zhbogar. Në shkurt të vitit 2012 Zyra e BE-së prezantoi masterplanin, i cili, siç thuhej, do të shërbejë si plan për zhvillimin e një qendre turistike që do të funksionojë gjatë tërë vitit në Brezovicë. Plani për ringjalljen e Brezovicës parashihte zhvillimin e një qendre turistike malore në zonën perëndimore afër qendrës ekzistuese të skijimit. «Brezovica ka treguar sukses dhe potencial të padiskutueshëm edhe në të kaluarën dhe zhvillimi i saj sipas standardeve moderne paraqet një prej mundësive më të mira në këtë rajon për krijimin e të ardhurave, vendeve të punës dhe për zhvillim. Për ketë qëllim BE-ja ka mbështetur komunën dhe Qeverinë e Kosovës në hartimin e Masterplanit për zhvillimin e Brezovicës», kishte nënvizuar slloveni Samuel Zhbogar. Çfarë thotë sot Zhbogar? Asgjë. Me gjasë është duke i përgatitur valixhet për të kaluar fundjavën diku.

Para dy vitesh, më 1 korrik 2014, Hashim Thaçi i binte trumbetës në Facebook: «Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rritje vitin e kaluar për 13 për qind, sipas të dhënave zyrtare të BQK. Me përfundimin këtë vit të proceseve tenderuese për qendren e skijimit Brezovica si dhe TC Kosova e Re, Misioni i Ri do të arrijë të katërfishojë investimet e huaja në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa do të dhjetëfishohen deri më 2016. Kjo do të përkthehet në rritje të mëtutjeshme të ekonomisë dhe hapjen e dhjeta mijëra vendeve të reja të punës».

Jemi në qershor të vitit 2016 dhe çfarë ka ndodhur në dy vitet e fundit është vetëm dhjetëfishimi i gënjeshtrave të paskrupullta nga Thaçi dhe suita e tij. Në të njëjtën kohë vazhdon politika e dëmshme e «dialogut» me Serbinë në Bruksel, me ç’rast Beogradi përparon në integrimet europiane dhe paralelisht me këtë saboton çdo zhvillim në Kosovë. Një akt i tillë sabotazhi është letra kërcënuese që Marko Gjuriqi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, iu ka dërguar kompanive të përfshira në projektin për investime në Brezovicë. Në këtë letër, të bërë publike nga «Koha Ditore», Gjuriq e quan Brezovicën pronë të Republikës së Serbisë.

Jo rrallë marrëveshjet e Thaçit me Serbinë janë lavdëruar si «historike», madje kështu janë quajtur edhe nga disa diplomatë dashakeqës të BE-së, të cilët janë të interesuar vetëm për stabilitet sipërfaqësor dhe për krijimin e përshtypjes se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës po përmirësohen. Nuk ka përmirësim pa detyrimin e Serbisë të pranojë realitetin: pavarësinë e Kosovës. Popujt e Ballkanit janë peng të Serbisë qe një çerekshekull. Përherë në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera pritet se çfarë do të thotë Beogradi, si do të sillet, sa ka nevojë për përkëdhelje, që të pengohet «kalimi i serbëve në taborin rus». Me këtë kërcënim Beogradi po bën politikë qe sa e sa vjet. Dhe Bashkimi Europian po e luan këtë valle. Serbia vërtet është vend i rëndësishëm i rajonit, por po aq të rëndësishëm janë grekët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët. Viktima të kësaj politike të verbër të Brukselit janë sidomos boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës: ata i kanë pranuar rregullat e lojës të bashkësisë ndërkombëtare dhe prapë duhet të durojnë shantazhet, sabotazhin, kërcënimet, sanksionet e ndryshme të Serbisë.

Dështimi i projektit për investime në Brezovicë është pasojë e politikave të dëmshme të një sundimtari. Emri i tij është: Hashim Thaçi. Përmes tij po forcohet roli i Serbisë në Kosovë dhe shqiptarët po shndërrohen në mysafirë në vendin e vet. Nuk mund të zhvillohen negociata më tutje me Serbinë vetëm pse Thaçi dhe kompania e tij duan të qëndrojnë në pushtet me çdo kusht. Dhe për këtë qëllim janë të gatshëm të lëshojnë pe ndaj politikës agresive serbe, e cila s’po pengohet nga Brukseli.

Në librin e tij mbi arritjen e paqes në Bosnjë diplomati amerikan Richard Holbrooke kishte shkruar se Perëndimi një kohë të gjatë kishte bërë gabim, duke i trajtuar politikanët serbë si njerëz që mendojnë në mënyrë racionale. Në fakt, nënvizonte Holbrooke, ata reagonin vetëm kur përdorej forca apo kur kërcënimi për përdorim të forcës ishte i besueshëm. «Ata ishin kryeneç dhe shpesh krekoseshin si gjeli majë plehu. Kur vinte puna deri këtu dhe atyre ua vendosje revolen në gjoks, ata s’ishin gjë tjetër veçse banditë të vegjël».
Problemi që ka sot Kosova është se sundohet nga politikanë që kanë hyrë në valle me gjela majë plehu vetëm për interesat e tyre personale. Ato interesa kanë një emërues të përbashkët: shpëtimin nga dora e drejtësisë dhe ruajtjen, legalizimin dhe rritjen e pasurisë së siguruar në mënyrë të paligjshme.