Profeti nga Kasëmpasha

Filmi artistik turk «Reis», i cili po shfaqet edhe në një kinema të Zürichut, e madhëron Rexhep Taip Erdoanin si njeri dhe politikan pa asnjë dobësi. Kjo hagiografi mbase është e tepërt edhe për përkrahësit e verbër të presidentit turk.

Skenë nga filmi «Reis».



Një burrë me mustaqe dominon titujt e mediave. Ai i fyen kritikët, i quan ata tradhtarë të vendit, betohet se do të hakmerret. Ai nuk përton të thotë edhe fjalitë më absurde. Për shembull këtë: «Kam menduar se nazizmi në Gjermani ka marrë fund, por ai po vazhdon». Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan synon të bëhet sundimtar i vetëm i Turqisë. Nga bashkëkombësit e tij – përfshirë ata në Europën Perëndimore – ai pret që në referendumin e 16 prillit të votojnë për sistemin presidencial të synuar prej tij. Nëse ka sukses me këtë projekt, atëherë Republika e themeluar para gati 100 vitesh nga Mustafa Kemal Ataturku do të varroset. Në të ardhmen parlamenti nuk do të përbëhet nga përfaqësuesit e popullit, por nga administratorë të muzeut. Ministrat në rastin më të mirë do të ishin statistë në kabinetin e Erdoanit.

Shefi i shteit frikësohet se turqit nuk do ta luajnë lojën e tij të rrezikshme për pushtet të pakufizuar. Për këtë arsye ai dëshiron t’i mobilizojë të gjithë bashkekombësit. Ai tërbohet kur qytetet gjermane ndalojnë fjalimet e ministrave të tij, të cilët duan të bëjnë fushatë për projektin e sistemit presidencial. «Nëse dua, vij nesër. Unë vij dhe nëse nuk më lejoni të hyjë apo të flasë, atëherë do ta dridh botën», kërcënoi ai gjatë fundjavës në drejtim të Berlinit.

«Turqit e zinj»

Në vend të Erdoanit të vërtetë, në Europën perëndimore ka ardhur «Reis», prijësi, bosi, shefi. «Reis» quhet filmi i regjisorit turk Hüdaverdi Yavuz. Pikërisht në prag të fillimit të fazës së nxehtë të fushatës për referendum kinematë në Zvicër, Gjermani, Austri dhe Itali, Francë dhe Danimarkë po e shfaqin këtë film. Është një dhuratë e Erdoanit për diasporën turke. Premiera e filmit është dhënë më 26 shkurt në Stamboll në 63-vjetorin e lindjes së Erdoanit. Bëhet fjalë për një shou propagandistik, në të cilin nuk shfaqet Erdoani si kryeministër, kryetar shteti, modernizues dhe autokrat me agjendë islamike.

Shikuesit shtyhen në Stambollin e viteve ’60. Atje, në në lagjen e portit Kasëmmpasha, ku në vitin 1493 filloi pushtimi i Konstantinopojës nga osmanët, rritet një djalë në një familje fetare. Gratë janë të mbuluara; burrat që pinë raki me aromë glikanxoje konsiderohet si mëkatarë. Shumica e fqinjve janë ardhacakë nga Deti i Zi. Nga elita kemaliste ata quhen me përbuzje «turq të zinj», janë katundarë larg sistemit arsimor, të cilët gjoja nuk dinë të hanë me thikë e pirun, fitojnë pak para si argat, duke lëvizur tespihet nëpër gishta dhe kohën e lirë e kalojnë duke pirë çaj ose duke dëgjuar muzikë pop arabesk. Kjo nuk është botë idilike. Të rinjtë pa perspektivë keqtrajtohen nga bijtë e të pasurve, por këta të fundit jetojnë të lirë, sepse gjykatësit dhe politikanët janë të korruptuar. Burra të vrazhdë bëjnë biznese të dyshimta. Lajmi se armata e ka ekzekutzar kryeministrin Adnan Menderes i tërbon këta burra me gjoks të fryrë ata betohen se do t’u hakmerren pushtetarëve.

Vetëm Rexhep Taip Erdoani sillet në mënyrë shembullore. Ai nuk kacafytet me askënd, imami i lagjes në sytë e tij sheh një «shkëlqim», bashkëmoshatarët i drejtohen Erdoanit me titullin e nderit «Reis», ndonëse ai ende nuk di të lexojë dhe shkruajë si duhet. Paratë e kursyera nga i ati për një bicikletë ai ia dhuron një familje të varfër.

Regjisori Hüdaverdi Yavuz e portreton Erdoanin si një bamirës nga Kasëmpasha, një lloj Nënë Tereze e sokakëve të Stambollit. Me ngathtësi të madhe regjisori bën përpjekje ta paraqes Erdoanin si profet pa asnjë njollë. Edhe si kryetar i Stambollit ai mbetet zemërmirë dhe përherë në shërbim të popullit. Ai ua kthen dinjitetin «turqve të zinj», e çon në dreq të mallkaur mafien e ndërtimeve, për përkrahësit e tij ai është «një lumë flakërues», i cili personalisht e shpëton një qen nga bunari. Një fëmijë gëzohet për qenin e shpëtuar dhe bashkë me të mbarë populli turk. Kjo hagiografi mbase është e tepërt edhe për përkrahësit e verbër të presidentit turk. A nuk ka Erdoan asnjë dobësi? «Ai nuk ka dobësi», është përgjigjur regjisori Yavuz në pyejten e gazetarëve. Më në fund mbretëron qartësi. Ndoshta për këtë arsye filmi do të shfaqet në Zvicër vetëm një javë. Erdoani i vërtetë ndërkohë po e përplas vendin në diktaturë.

(Tages Anzeiger)