Profeti

Mihail Jureviq Lermontov.



Qëkurse Zoti me dërgoi
Të jem profet mes njerëzisë,
Në syt’ e tyre shpesh lexoj
Faqe përplot prej ligësisë.

Ju predikova drejtësi
Dhe dashurinë më të dëlirë,
Po dhe të afërmit e mi
Më hodhën gurë pa mëshirë.

Dhe ula kryet të duroj.
I varfër ika nga qyteti,
Në shkretëtirë sot po rroj.
Si zogjtë ha, ç’të gjej, i shkreti.

Këtu ku mbroj atë mësim
Më binden bishat, egërsirat;
Dëgjojnë yjt’ e me gezim
Lodrojnë lart në hapësirat.

Kur shkoj i ndrojtur në qytet,
Mësipërmes turmës që më ngiste
Mbledh baba bijtë dhe ju flet
Me një nënqeshje egoiste.

«Ja, merrni shembull paskëtaj!
Ne na përçmoi me krenari,
Desh të na bindë budallai
Se Zoti flet nga goj’ e tij!

Shikoni sot si është bërë
Lypsar, qyqar, fytyrëtretur!
Shikoni, djem, se si ka mbetur,
Si e përqesh një bot’ e tërë!»

Përktheu: Petraq KOLEVICA