Profesori Mirko Simiq: Memorandumi i Akademisë, njollë e zezë e historisë serbe

A kishte ndonjë akademik serb që kundërshtoi kursin e luftës të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve? Po. Ai quhet Mirko Simiq. Është profesor i mjekësisë dhe jeton prej vitesh në Angli. Në 30-vjetorin e Memorandumit ai flet gjerësisht mbi rrethanat e atëhershme.

Hero? Grafit në mbështetje të kriminelit të luftës Radovan Karagjiq.

Në intervistën për Radio Evropa e Lirë (REL) profesori Mirko Simiq flet për Memorandumin e grupit të anëtarëve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, dokument që saktësisht para 30 vjetësh shkaktoi skandal të madh politik, i cili edhe sot vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Memorandumi u paraqit në opinion në vitin 1986 si «dokument i papërfunduar» i grupit të akademikëve. E përjetoi dënimin e udhëheqjes së atëhershme. Pastaj, në Serbi u zëvendësua Ivan Stamboliqi dhe më 1987 Slobodan Milosheviqi e mori pushtetin dhe në Gazimestan solemnisht premtoi shkrepjen e armëve. E para në radhë ishte Kosova. Me Kosovën përfundoi edhe lufta e përgjakshme dhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Derisa edhe sot mendimi i shumicës (në Serbi, v.j.) është se ai dokument, i cili tregoi krizën e shoqërisë socialiste post-titiste, përjetoi dënim të padrejtë të regjimit, të tjerët sugjeronin se ai tekst e dëshmonte se populli serb në ish-Jugosllavi ishte politikisht i eksploatuar dhe i pafuqishëm, e kjo hapi rrugë për rritjen e nacionalizmit serb dhe luftërat e viteve të ‘90, me të cilat u tentua përpjekja për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe.

Njëri nga anëtarët e atëhershëm me korrespodencë i Akademisë, profesor i Fakultetit të Mjekësisë, dr. Miroslav (Mirko) Simiq, së bashku me 17 akademikë të tjerë, e shkroi Antimemorandumin, në të cilin e përgënjeshtruan tezën e rrezikimit të popullit serb.

Kjo u gjykua nga kreu i lartë i Akademisë. Simiq më pas e shkroi librin «Goodbye SANU» (Lamtumirë ASSHA), në të cilin ai shpjegoi se pse e braktis shoqërinë e akademikëve serbë.

Profesori Simiq tani është në pleqëri të thellë (i lindur më 1924), dhe që nga viti 1993 jeton në Angli me bashkëshorten, gjithashtu profesoreshë e Fakultetit të Mjekësisë, Radmila Mileusniq.

Për Radion Europa e Lirë ai e rikujton momentin kur së pari e ka parë tekstin e Memorandumit, cilat pyetje ia kishte dërguar kryetarit të atëhershëm të Akademisë, si dhe i komenton përpjekjet e sotme për rehabilitimin e atij dokumenti.

Simiq: Herën e parë e kam parë tekstin e Memorandumit në prag të mbledhjes së jashtëzakonshme të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, e mbajtur më 18 dhjetor 1986. Ai tekst ka qenë i ekspozuar në tryezën e njërës nga hapësirat e Akademisë. Çdo akademik ka mundur ta shfletojë atë dokument. Kjo ishte mënyra sesi ai dokument doli në dritë në Akademi.

REL: Ju jeni njëri ndër akademikët e paktë që nuk e mbështetën Memorandumin. Pse u distancuat nga ai dokument, dhe në fund të vitit 1995 dolët nga ASSHA?

Simiq: Si jugosllav i bindur, nga fillimi kam qenë kundërshtar i qëndrimeve të paraqitura në shkrimin e quajtur «Memorandumi i ASSHA». Në fakt, kam menduar se ky është një konfuzion dhe nga pikëpamja shkencore, i papërpunuar, një fëmijëri intelektuale e parakohshme, por e cila njëkohësisht është edhe shumë e rrezikshme. Është e rrezikshme për shkak se idetë nacionaliste serbe përçarëse për Serbinë e Madhe dhe «të gjithë serbët në një shtet» paraqitnin një bombë të kurdisur për shkatërrimin e atdheut tim, Jugosllavisë.

Dënimin tim për këtë Memorandum e kam shprehur nëpërmjet tri pyetjeve të hapura, të cilat në mënyrë zyrtare ia kam dorëzuar Kryesisë së atëhershme të Akademisë, me kërkesë që në këto pyetje të marr përgjigje, e që në bazë të pyetjeve të mia të zhvillohej diskutimi, i cili do ta parandalonte atë përçarjen, të cilën ai grup i Akademisë e bëri shumë aktivisht. Në dorëheqjen time të mëvonshme kam dashur të distancohem dhe të mos jem më në shoqërinë e njerëzve të tillë, e as të bart përgjegjësi për atë që ndodhi.

Me akademikun Lubisha Rakiq kemi qenë miq të mirë. E kam pasur shprehi të kthehem shpesh në zyrën e tij që të bisedojmë. E kur shkova tek ai njëherë në vitin 1991, e pashë në tavolinën e tij një hartë të madhe të Kroacisë dhe Krajinës. E pyeta se çfarë do të thotë ajo. Tha se e ka marrë për detyrë që të propozojë një spital për 1’500 të plagosur. Këto tashmë ishin përgatitje për luftë.

REL: Cilat ishin tri pyetjet që ia keni parashtruar udhëheqjes së Akademisë?

Simiq: Pyetja e parë ishte se pse Kryesia e ka lejuar Akademinë, duke qenë institucioni prijës shkencor dhe kulturor i popullit serb, si ndërgjegje kombëtare që duhet me kujdes ta ruajë mendjen, fytyrën dhe nderin e popullit të vet, të dështojë? Që me organizimin e shkrimit dhe më pas me publikimin e Memorandumit ta sjellë Akademinë deri aty sa të bjerë njolla e zezë mbi të, e cila do të jetë e vështirë të fshihet.

Pyetja e dytë ishte pse Akademia, në vend të Memorandumit, nuk ka iniciuar kurrfarë iniciative për ta ndalur luftën. Lufta, e cila me asgjë nuk mund të arsyetohet dhe e cila kërcënon që për një kohë të gjatë të na lërë jashtë bashkësisë së popujve të qytetëruar.

Së fundi, pyetja e tretë ishte pse Kryesia nuk ka bërë asgjë për ta distancuar vazhdimisht Akademinë nga politika luftarake e qeveritarëve serbë dhe nga ndezja e urrejtjes me nacionalizëm të njerëzve agresivë, pa ndërgjegje e moral dhe pa kurrfarë vlere shpirtërore, bile Akademia këtë e ka inkurajuar vazhdimisht.

REL: A keni marrë ndonjëherë përgjigje, të paktën ndonjë reagim?

Simiq: Në pyetjet e mia nuk kam marrë kurrë përgjigje, përveç një letre të shkurtër nga Aleksandër Despiqi, nënkryetari i atëhershëm i Akademisë, në të cilën më thotë: «Mirko, lëshoje topin!» Natyrisht që «nuk e kam lëshuar», por e kam inkurajuar dhe mbështetur iniciativën për ta shkruar dhe për ta publikuar «Apelin e ASSHA kundër luftës», të cilin e kanë nënshkruar 18 akademikë.

Ky tekst, në thelb anti-memorandum, i shkruar dhe i botuar në kohën kur shumica e anëtarëve të Akademisë ishte mbushur me ide nacionaliste nga Memorandumi, tregon se në kohën e luftërave të ashpra shkatërrimtare në Jugosllavi, në Akademi megjithatë ekzistonte ende një pjesë e vogël e anëtarëve mjaft të guximshëm dhe të zgjuar, të gatshëm që publikisht ta ngrenë zërin e tyre kundër kësaj lufte të tmerrshme. Ta ngrenë zërin e tyre në emër të zgjidhjes paqësore të konflikteve.

REL: A kishte reagime në këtë anti-memorandum?

Simiq: Natyrisht që po. Akademia u distancua menjëherë nga Apeli me komunikatën e Dejan Medakoviqit, atëherë sekretar i përgjithshëm i Akademisë, se «deklarata e tetëmbëdhjetë anëtarëve të Akademisë është mendim i tyre personal dhe se nuk duhet të konsiderohet si mendim zyrtar i Akademisë».

REL: Ju atëherë keni qenë anëtar me korrespodencë i ASSHA. Kur u larguat nga ASSHA?

Simiq: Po, kam qenë anëtar me korrespodencë i ASSHA. Nuk më propozuan për anëtar të rregullt si një disident në raport me Akademinë. Qëndroja mirë me Gojko Nikolishin, i cili ishte i hapur me mua, dhe më pati thënë: Mirko, Papoja (Isidori) është kundër teje deri në atë masë sa nuk do të propozojnë dhe nuk mund të kalojë avancimi yt në anëtar të rregullt. Me gjasë gabimi im ishte se unë e kisha dënuar agresionin kundër Kroacisë, atëherë kur tanket me buqeta me lule niseshin nga serbët entuziastë drejt Vukovarit.

REL: Kanë kaluar 30 vjet nga paraqitja e Memorandumit. A veprohet sot në rehabilitimin e qëndrimeve të atij dokumenti?

Simiq: Mendoj se po. Njëkohësisht mendoj se rehabilitimi i qëndrimeve të Memorandumit është veprim i rrezikshëm. E rrezikshme, sepse autorët e Memorandumit thirreshin në mitet dhe gojëdhënat nacionaliste, të tilla si: «Të gjithë serbët në një shtet», dhe duke shfrytëzuar gënjeshtrat, të tilla gjoja se Serbia në Jugosllavinë e Titos abuzohet ekonomikisht. Kjo do ta bëjë Memorandumin gjithmonë një broshurë të rrezikshme politike.

REL: Kryetari i tanishëm i Akademisë ka thënë se Memorandumi ka qenë hipotekë që i është imponuar asaj?

Simiq: Vlada Kostiqin e njoh tanimë shumë vite. Ai është dijetar i mirë, dhe një mjek i mirë, dhe një organizator i mirë. Ai i ka të gjitha cilësitë e një njeriu i cili duhet të jetë në krye të një institucioni, siç është Akademia e Shkencave. Kam pritur që ai në këtë kuptim do të flasë dhe do të veprojë. Ai, megjithatë, në një intervistë ka thënë se Akademia nuk është marrë kurrë me politikë, gjë që nuk është e vërtetë. Udhëheqja e atëhershme, me kryetarin Dushan Kanazir dhe me Antonio Isakoviqin, nënkryetar, ka bashkëpunuar që ç’ke me të me partinë e Milosheviqit dhe e ka mbështetur Milosheviqin. Kjo ka qenë përzierje në politikë.

Është e vërtetë se Akademia, si institucion, nuk e ka formuar atë qëndrim, por në Akademi ishte një grup që i ka plasuar idetë e tilla dhe e ka përçarë popullin serb. Bindja ime ishte se Akademia dhe fjala e saj janë të rëndësishme për popullin serb. Akademia është njëlloj institucioni që duhet ta mençurojë popullin serb, e jo ta shtyjë në nacionalizëm, që do ta çojë në luftë të pistë. Një grup i njerëzve në Akademi, që e ka pasur fjalën kryesore, nëpërmjet Memorandumit, e filloi përçarjen urrejtëse, e cila çoi në luftën e pistë dhe të çmendur. Nuk jam pajtuar me këtë.

REL: A kishte arsye që në Jugosllavi të hapej çështja nacionale serbe?

Simiq: Është vështirë për t’u përgjigjur në një pyetje të tillë. Atëbotë, sllovenët e kishin hapur çështjen e tyre, e edhe republikat tjera ishin të gatshme për ta bërë këtë. Se ka pasur probleme, ka pasur, por ato ishin të zakonshme për gjithë Jugosllavinë e atëhershme. Regjimi i Titos e arriti krizën dhe e përjetoi fundin e tij.

Teza se në shpërbërjen e Jugosllavisë serbët ishin në situatën më të keqe, se ata janë ekonomikisht të shfrytëzuar e kështu me radhë, nuk ishte e vërtetë, e kjo ishte njëra nga tezat shumë të rëndësishme për hapjen e çështjes serbe. Mendoj se hapja e cilësdo çështje nacionale, qoftë serbe, qoftë kroate, apo boshnjake, apo shqiptare, në kohën e politikës së pistë që udhëhiqej në gjithë ish-Jugosllavinë, ishte shumë e rrezikshme. Hapja e çështjes serbe në mënyrën që është pasqyruar në Memorandum mund të interpretohet vetëm si thirrje e drejtpërdrejtë për shkatërrimin e Jugosllavisë.

REL: A qëndron në Memorandum mendimi se Beogradi në Jugosllavinë e atëhershme nuk kishte asnjë ndikim për pozitën e serbëve jashtë Serbisë, ide e fshehur për Serbinë e Madhe?

Simiq: Në bazën e Memorandumit është ideja që duhet të krijohet Serbia e Madhe: ku ekziston një komunitet serb, ai duhet t’i bashkëngjitet Serbisë, dhe ta përbëjë një tërësi në të cilën të gjithë serbët do të jetë në një shtet.

REL: Pasi Slobodan Milosheviqi erdhi në pushtet, pas mbledhjes VIII të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, në vitin 1987, a e filloi Serbia politikën e realizimit të Memorandumit?

Simiq: Po!

REL: Derisa shumë zëra tërheqin vërejtjen se Memorandumi e hapi Kutinë e Pandorës të së ashtuquajturës «çështje nacionale serbe» dhe e përgatiti shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, të tjerët mendojnë se Memorandumi nuk e bëri këtë, por qëllim e kishte ruajtjen e Jugosllavisë, siç tha akademiku Vasilije Krestiq. A është ekzagjeruar rëndësia e Memorandumit?

Simiq: Sigurisht që jo. Intuita ime më thotë se e keqja themelore që Memorandumi u solli serbëve ishte fakti se ajo krijesë, dhe më pas e ashtuquajtura elitë intelektuale serbe, e ka arsyetuar fuqishëm, e ka ndihmuar dhe mbështetur politikën e atëhershme luftarake të qeveritarëve serbë, e cila, ndër të tjera, përfundimisht çoi në spastrimin e serbëve na Kroacia, dëbimin e 150’000 serbëve nga shtëpitë e tyre, si dhe masakrën gjenocidiale të boshnjakëve në Srebrenicë dhe ngjarjet tragjike në Kosovë.

Prandaj, vlerësoj se Memorandumi nuk është «njollë e shndritshme» e historisë serbe, por më shumë «njollë e zezë», e cila vështirë se do të fshihet. Gjithashtu besoj se Serbia, pa atë njollë të zezë, që moti do të ishte anëtare e respektuar dhe e nderuar e Bashkimit Europian.