Profesori i qetë në kohërat e zemërimit

Alexander van der Bellen është zgjedhur president i ri i Austrisë. Ai do të jetë një partner i vendeve të Ballkanit në rrugën e integrimeve europiane. Në të kaluarën Van der Bellen ka protestuar kundër izolimit të Kosovës.

Alexander van der Bellen, president i ri i Austrisë.



Alexander van der Bellen u lind më 18 janar 1944 në Vjenë si fëmijë i një estonezeje dhe i një rusi me origjinë holandeze. Paraardhësit e tij u larguan nga Rusia në Estoni pas fitores së bolshevikëve në Revolucionin e Tetorit të vitit 1917. Kur në vitet 1940/41 vendet baltike u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik, babai i Alexander van der Bellen iku bashkë me gruan e tij të ardhshme nga Estonia në Rajhun e atëhershëm gjerman. Nga një kamp refugjatësh në Gjermani ata arritën në Vjenë. Për këtë arsye Van der Bellen nga mediumet është quajtur fëmijë refugjatësh. Ai u rrit në rajonin e quajtur Kaunertal në Tirol të Austrisë. Familja e tij kishte ikur nga Vjena kur në fund të Luftës së Dytë Botërore Armata e Kuqe iu afrua kryeqytetit austriak.

Alexander van der Bellen kreu gjimnazin në Innsbruck dhe nga viti 1962 studioi ekonominë në po këtë qytet. Në vitin 1970 mori gradën doktor shkence i ekonomisë dhe, sipas rregullave të sistemit arsimor të vendeve gjermanishtfolëse, ai më 1975 habilitoi dhe kështu mori titullin profesor universiteti i specializuar për financa. Gjatë karrierës së tij akademike ai ka punuar në Universitetin e Innsbruckut, në Akademinë Federale të Administratës në Vjenë dhe në Universitetin e Vjenës. Në vitin 2009 ai u pensionua.

Karrierën politike Alexander Van der Bellen e filloi më 1994 si anëtar i Partisë së Gjelbër. Në rini ai ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate, por më vonë zhvilloi simpati për lëvizjen ekologjike. Në vitin 1994 ai u zgjodh deputet në Parlamentin e Austrisë, ku u angazhua në komisione të ndryshme (buxhet, industri, financa). Në vitin 1997 Van der Bellen u zgjodh kryetar i Partisë së Gjelbër të Austrisë. Si «profesor i gjelbër» ai u bë i njohur shumë shpejt në opinionin austriak me maturinë e tij, nonshalancën, për angazhimin e tij për një politikë moderne ekonomike, për korrigjim të sistemit në favor të atyre që «nuk ndihen mirë në kapitalizëm».

Në janar të këtij viti Van der Bellen shpalli kandidaturën e tij për postin e presidentit. Raundi i parë u zhvillua në prill, i dyti në maj – dhe përfundoi me fitoren e ngushtë të Van der Bellen ndaj kandidatit popullist Nobert Hofer të partisë FPÖ. Por për shkak të disa parregullsive Gjykata Kushtetuese e Austrisë anuloi raundin e dytë dhe caktoi 2 tetorin si datë të përsëritjes së tij. Sërish u shfaqën probleme me fletëvotime dhe zgjedhjet u shtynë për 4 dhjetor. Që nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në prill në botë kanë ndodhur disa ndryshime si dalja e Britanisë së Madhe nga BE apo fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Popullisti Hofer shpresonte se do te përfitonte nga ky trend i ngjalljes së djathtizmit në botë. Në Austri ndodhi e kundërta: me përkrahjen e Van der Bellen ata mbështetën një kandidat që mund të duket paksa monoton, por nuk kërcënon si Nobert Hofer me ndryshime të mëdha, me dalje nga BE, me përkrahje të politikave nacionaliste të serbëve të Bosnjës dhe me sulme të ulëta kundër pavarësisë së Kosovës. Në kohërat e zemërimit elektorati austriak i besoi dhe votoi për një profesor të qetë.

Me gruan e tij të parë presidenti i ri i Austrisë ka dy djem (Nikolai dhe Florian). Van der Bellen jeton në Vjenë dhe ka një vendbanim të dytë në Kaunertal të Tirolit. Në fund të vitit 2015 ai u martua me partneren e tij shumëvjeçare dhe kolegen partiake Doris Schmidauer. Alexander van der Bellen thotë se i pëlqen të lexojë dhe të ec në bjeshkë.

Gjatë fushatës zgjedhore Van der Bellen ka thënë se si kryetar i ri i Austrisë do të angazhohet për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE. «Asnjë vend nuk ka marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe historike me Ballkanin Perëndimor se Austria. Për të gjithë vëzhguesit nuk ka dyshim se në periudhën afatmesme duhet të ketë perspektivë të anëtarësimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor».

Van der Bellen është koleg partiak i Ulrike Lunacek, aktualisht nënkryetare e Parlamentit Europian dhe raportuese për Kosovën. Bashkë me Lunacek ai ka protestuar në vitin 2010 kundër izolimit të Kosovës. «Kosova nuk guxon të mbetet vendi më i izoluar në Ballkanin Perëndimor», theksuan ata në një deklaratë të përbashkët – dhe shtuan: «BE duhet ta ketë parasysh Ballkanin si tërësi. (…) Kosova është vendi më i izoluar i rajonit. Kjo është një katastrofë sidomos për popullsinë kosovare, dy të tretat e së cilës janë nën moshën 25-vjeçare».

Në vitin 2007 Van der Bellen është angazhuar edhe në rastin e Arigona Zogajt. Familja Zogaj ishte kapur nga policia për çështje të të huajave dhe ishte dëbuar në Kosovë. Arigona kishte humbur pa gjurmë në përpjekje për të kundërshtuar largimin nga Austria. Van der Bellen i kishte bërë apel kancelarit të atëhershëm Alfred Gusenbauer që në rastin e Arigonës të tregojë «arsye dhe humanizëm», duke ia mundësuar asaj qëndrimin humanitar në Austri. Pas një drame disavjeçare, me ç’rast në Austri u zhvilluan debate të ashpra për dhe kundër dëbimit të Arigonës në Kosovë, në vitin 2012 ajo mori lejen e qëndrimit në Austri. Ndërkohë ajo dëshiron të kryejë maturën dhe të studiojë drejtësi në Linz të Austrisë. Një pjesë e familjes, përshirë edhe nënën e saj, jetojnë sërish në Austri.