Profesoresha e Universitetit të St. Gallenit: Shqipëria tek në vitin 2050 mund të hyjë në BE, Kosova nuk ka ende perspektivë europiane

Profesoresha e Universitetit të St. Gallenit në Zvicër, Tina Freyburg, ka prezantuar një studim, sipas të cilit disa vende të Ballkanit nuk i plotësojnë kushtet për anëtarësim në BE deri në vitin 2050.

Foto: Shutterstock



Ishte një ditë e bukur vere më 2003 kur në Selanik i mblodhën të gjithë krerët e Bashkimit Europian në Samitin me vendet e Ballkanit. Me atë rast u bë një premtim solemn: të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE. Madje kishte diplomatë europianë që bënin plane për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit deri në vitin 2014. Viti 2014 ishte simbolik: 100 vjet pas atentatit të nacionalsitëve serbë më 1914 kundër pretendentit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinandit.

Premtimi për anëtarësim nga perspektiva e sotme lexohet si përrallë. Shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, në një fjalim të mbajtur në shtator tha se Brukseli është duke e përgatitur strategjinë për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE deri në vitin 2025. Vendet të tjera si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia nuk u përmendën fare dhe kjo ngjalli shqetësime dhe nervozë të kuptueshme në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Juncker deklaroi: «Nëse duam më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë, duhet të ruajmë perspektivën e besueshme të anëtarësimit për Ballkanin perëndimor. Gjatë këtij mandati të komisionit dhe të parlamentit të BE-së nuk do të ketë anëtarë të rinj (mandati i institucioneve të BE-së përfundon më 2019, v.j.). Por, në vitet në vijim BE do të ketë më shumë se 27 anëtarë».

Por, një studim i profesoreshës Tina Freyburg nga Universiteti i St. Gallen në Zvicër skicon një të ardhme të zbehtë sa i përket gjasave për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit. Siç ka njofutar portali «EurActiv» duke u bazuar në studimin e profesoreshës Freyberg, vendet si Serbia, Mali i Zi dhe Turqia do t’i plotësojnë kushtet për anbëtarësim mbase tek nga mesi i viteve 2030.

Aktualisht kandidatë për anëtarësim janë këto shtete: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina konsiderohen «kandidatë potencialë për anëtarësim». Kosova deri më tani nuk ka bërë kërkesë për pranim në BE. Studimi me titullin «Forecasting Candidate Status» është realizuar në bazë të përvojave gjatë zgjerimit të BE-së në Europën Lindore më 2004 dhe kështu është arritur në përfundimin se pesë nga shtetet e lartpërmendura mund të jenë anëtare të BE-së tek në vitin 2050.

Anëtarësimi në BE është i mundshëm nëse kandidati plotëson një listë të gjatë të kritereve të caktuara dhe kur legjislacioni i BE-së të integrohet në legjislacionin nacional. Këtu përfshihen reformat në sistemin e drejtësisë, politika ndaj energjisë dhe transportit etj. Kandidati më i diskutueshëm është Turqia: për shkak të kthimit prapa të këtij vendi nën sundimin e presidentit Rexhep Taip Erdoan gjasat për anëtarësim të Ankarasë po zvogëlohen për çdo ditë.

Sipas studimit Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina me gjasë do t’i plotësojnë kriteret për anëtarësim tek në vitin 2050. Ambiciet politike të këtyre vendeve i tejkalojnë mundësitë reale, shkruan autorja e studimit Tina Freyburg. Në studim nuk janë marrë parasysh Kosova dhe Mali i Zi për shkak se, sipas autores, për një vlerësim të thelluar mungojnë të dhëna të mjaftueshme. Përveç kësaj pavarësia e Kosovës nuk pranohet nga pesë shtete të BE-së. Rrjedhimisht, një perspektivë reale për anëtarësim momentalisht nuk ekziston. Si vend me perspektivë për anëtarësim përshkruhet Mali i Zi, por në studim nuk janë marrë parasysh vetot e mundshme të vendeve anëtare të BE-së dhe vullneti i qeverisë në Podgoricë.