Prodhuesit kosovarë të barnave s’po mund të futen në tregun serb

Ka një vit që kompania më e madhe e barnave «Trepharm» ka tentuar të hyjë në tregun e Serbisë, por pa sukses.




E marrëveshja e arritur mes Kosovës e Serbisë për njohjen reciproke të Certifikatave të Produkteve Farmaceutike, sipas pronarit të kësaj kompanie, nuk pritet t’ia lehtësojë atij hyrjen në tregun farmaceutik të Serbisë, raporton KTV.

Si çdo marrëveshje tjetër e nënshkruar me Serbinë, edhe kjo për barnat synon të normalizojë tregun mes të dyja shteteve.

Në tregun kosovar pritet vetëm të legjitimohen barnat nga Serbia, të cilat deri tash kanë qarkulluar ilegalisht, derisa Kosova vështirë se do të depërtojë në tregun serb.

Ndonëse marrëveshja është arritur qysh në qershor të këtij viti, në Agjencinë për Produkte Medicinale nuk ka arritur asnjë kërkesë me certifikatë nga ana serbe për regjistrim të një bari.

«Pritjet tona dhe kriteret e marrëveshjes ende nuk janë realizuar, ngaqë deri tash nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare për regjistrimin e barnave që janë prodhuar në Serbi, për shkak të mungesës së CPP-së. Deri tash ka aplikuar vetëm një kompani. Ajo është Kompania shtetërore «Galenika», e cila autorizoi distributorin privat kosovar «Santefarm»», ka thënë Jeton Shala, kryeshef i AKPPM-së.

Prodhuesi kosovar pret që institucionet e Kosovës t’i ndihmojnë atij që të hyjë në tregun serb.

Në të kundërtën, kërkon që Kosova t’ia kthej me reciprocitet shtetit serb moszbatimin e marrëveshjes, transmeton Koha.net.

Zyrtarët e AKPPM-së presin që edhe kompanitë kosovare të pajisen me CPP, në mënyrë që prodhimet e tyre të regjistrohen në Serbi.