«Prodhimi me këmbëngulje i problemeve të rrejshme nuk na lejon të ballafaqohemi me jetën tonë»

Shkrimtari i njohur boshnjak Xhevad Karahasan thotë se në Ballkan gjuha kryesisht shërben për të prodhuar mosmarrëveshje: «Nëse jetoni këtu duke iu nënshtruar gjithë këtyre gënjeshtrave, problemeve të rrejshme, grindjeve të shpifura, të dakorduara dhe konstruktuara, ju dikur do të filloni të ndjeheni si i çmendur. Nuk takoheni me jetën tuaj, dikush me këmbëngulje ju bind se i zgjidh problemet tuaja dhe ju e shihni se ai po rren». Pjesë nga një intervistë dhënë portalit boshnjak klix.ba.

Xhevad Karahasan. Foto: Jelena Dukariq



Për letërsinë
«Letërsia përherë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, por sot ajo është më e rëndësishme se kurrë më parë. Për shembull, në epokat që kanë pasur një dimension të fuqishëm shpirtëror të kulturës, letërsia ka qenë më pak e rëndësishme se sot dhe atëherë nuk keni qenë të shtyrë të shkruani romane. Ndërsa sot, kur ekziston industria për prodhimin e harresës, në epokën e totalitarizmit ekonomik dhe diktaturës fashiste të teknologjisë, letërsia është pafund e rëndësishme. Jetojmë në një botë në të cilën gjuha përfundimisht po zhbëhet si mjet i shprehjes dhe jemi të rrethuar me njerëz, të cilët seriozisht besojnë se përmbajtjet e tyre shpirtërore mund t’i shprehin me mesazhe sms. Ka përpjekje që të na bëjnë të besojmë se gjuha është vetëm mjet komunikimi dhe se fjala është vetëm bartëse e informacionit. Kjo është gënjeshtër monstruoze, sepse ne mund të merremi vesh edhe me shenja, pa asnjë fjalë. Nga ana tjetër ekzistojnë gjëra që mund t’i themi vetëm në gjuhën amtare, sepse gjuha është instrumenti më i rëndësishëm me të cilin individi shpreh ekzisencën e tij shpirtërore. Meraku im është të ligjërojë në gjermanisht për ato gjëra që s’mund t’i mësojë dhe të cilat kanë të bëjnë me dimensionin kuptimor të ekzistencës sime. Por ndjenjat nuk mund të shprehen në gjermanisht. Nuk mund të vajtojë në gjermanisht, bërtas, këlthas. Tërë industria, pseudokultura e botës së sotme dëshiron të shkatërrojë tërë ato dimensione të gjuhës dhe ta shndërrojë gjuhën vetëm në mjet komunikimi. Per këtë arsye sot është më e rëndësishme se kurrë të ruhet dhe kultivohet letërsia».

Për gjuhën

«Në hapësirën e ish-Jugosllavisë tashmë 30 vjet sistematikisht prodhohen probleme të rrejshme për të cilat pastaj llomotitet tmerrshëm, zhvillohen grindje dhe njerëzit nxjerrin shkumë nga goja. Krejt kjo bëhet që të mos merremi me problemet e vërteta dhe që të mos gjendemi në një situatë në të cilën mund të flasim njëri me tjetrin si njerëz. Neve gjuha sot këtu kryesisht na shërben për të prodhuar mosmarrëveshje».

Mbi stuhinë e rrenave

«Prodhimi me këmbëngulje i problemeve të rrejshme nuk na lejon të ballafaqohemi me jetën tonë. Nëse jetoni këtu duke iu nënshtruar gjithë këtyre gënjeshtrave, problemeve të rrejshme, grindjeve të shpifura, të dakorduara dhe konstruktuara, ju dikur do të filloni të ndjeheni si i çmendur. Nuk takoheni me jetën tuaj, dikush me këmbëngulje ju bind se i zgjidh problemet tuaja dhe ju e shihni se ai po rren. Në atë situatë të jorealitetit total, në situatën e problemeve të rrejshme dhe të shpifura, njerëzit fillojnë të humbin arsyen dhe detyrimisht ndjehen keq. Ata më shumë duan të largohen, madje edhe atje ku materialisht do të jetonin më keq se këtu, por ku kanë një grimë realitet, sepse këtu ndjehen si minj me të cilët eksperimentojnë disa përbindësha. (klix.ba, dp)