«Procesi i dijes është spiral, si guri mbi gur deri sa bëhet kalaja»

Fizikania shqiptare me famë botërore, Laura Mersini-Houghton, flet për Albert Einsteinin dhe sekretin e teorisë së relativitetit, për dritën, yjet dhe zanafillën e botës, por edhe për babanë e saj matematikan, i cili me vajzën e tij nisi të flasë për shkencën kur ajo ishte trevjeçare. Natyrisht dr. Laura Mersini-Houghton, e cila është profesoreshë në University of North Carolina at Chapel Hill (SHBA), ndan me lexuesit e dialogplus.ch edhe përshtypjet e saj nga vizita e parë në Kosovë.

«Çdo njeri fëmijërinë e tij e kujton me nostalgji. Unë kisha privilegjin që u rrita në një familje ku të dy prindërit e kishin mundësinë të më zhvillonin kuriozitetin intelektual dhe bënë të pamundurën për këtë», thotë dr. Laura Mersini-Houghton.

Profesoresha Mersini-Houghton, së fundi ju mbajtët një ligjëratë në ETH, një shkollë e famshme teknike në Zürich, ku ka studiuar Albert Einsteini. Para një shekulli ky fizikan prezantoi Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit. Kjo teori e ka zgjidhur sekretin e gravitetit. Çfarë do t’i mungonte njerëzimit nëse Einstein nuk do ta kishte bërë këtë zbulim epokal?

Mersini-Houghton: Sekreti i plotë i gravitetit nuk është zgjidhur ende, dhe nga kjo nevojë doli «String Theory». Zbulimi i teorisë së relativitetit do qe bërë patjetër – ndoshta disa vite më vonë – dhe po të mos ekzistonte Einsteini, sepse aparati matematik qe bërë gati që nga Riemann, Lobachevsky dhe më vonë nga Minkowski; dhe, fizika kishte arritur pikën ku u kuptua që teoria e Newtonit ka shumë mungesa. Arritja kryesore e Einsteinit ishte se ia doli ta bënte vetëm fare me imagjinatën e tij të tërë atë teori të komplikuar, dhe brenda një kohe të shkurtër.

Sot fizikanët mendojnë se Einsteini e ka zbuluar si të thuash planin ndërtimor të universit, në bazë të të cilit mund të shpjegohet edhe krijimi i universit dhe fenomeni i atyre që quhen «vrima të zeza».

Po, teoria e tij është një nga dy bazat e dijeve që kemi ne për ligjet e universit. (Tjetra është teoria kuantike). Por relativiteti është teori efektive – pra e përafërt, sepse nuk është e vlefshme në kushte ekstreme të energjisë së lartë si energjia e «Big Bang».

Shumica e kosmologëve supozojnë se universi u krijua para afërisht 14 miliardë vitesh gjatë një shpërthimi të madh, që në anglisht njihet si «Big Bang» ose «Urknall» në gjermanisht. Si mund ta përfytyrojë një lexues jofizikan këtë fenomen?

Mosha 14,7 bilionë vite nuk është supozim i kosmologëve, kjo është matur direkt me observacionet astrofizike. Filloi që me Hubble në kohën e Einsteinit dhe tani ka arritur stadin e precizionit te matjeve. Ne kur shohim larg në qiell, në fakt shikojmë «mbrapsht» në kohë, pra shohim të kaluarën e universit. Arsyeja është se ne shohim me sinjale drite. Kur drita nga një yll që është një bilion vite larg, na arrin sot ne në tokë që ta shohim, ajo dritë u prodhua nga ylli, jo sot, por para një bilion vitesh, pra kur ylli qe shumë më i ri se çfarë është tani. Fenomeni i inflacionit kozmik ne momentin e krijimit të universit mund të imagjinohet si një balone me presion shumë të madh ajri brenda që shpërthen në mënyrë uniforme në të tëra drejtimet. Në rastin e universit këtë presion e dha gravitacioni i një energjie që quhet inflacioni kozmik. Askush nuk e di ende nga erdhi kjo energji.

Ju jeni mbështetëse e teorisë mbi multiversin, një teori e pakrahasueshme e universit tonë si univers paralel me shumë të tjerë. Cila është rëndësia e kësaj teorie për njerëzimin?

Na jep mundësinë të pyesim nga erdhi energjia e «Big Bang» dhe të zbulojmë origjinën e universit dhe çfarë kishte në kozmos më përpara se të krijohej universi. Rëndësia tjetër është që multiversi zgjeron parimin e Kopernikut për tërë universin, duke mos i dhënë një vend të veçantë universit tonë në kozmos. Në multiverse, universi ynë është një në miliona e bilionë universe të tjera, pra ky i yni nuk ka status special në natyrë. Sikurse u kuptua shekuj më parë që sistemi diellor ku është dhe planeti tokë nuk është qendra e universit, por një në mijëra yje e sisteme të tjera diellore në univers.

Ju keni lindur në Shqipëri në epokën e komunizimit. Me çfarë ndjenja e kujtoni sot atë periudhë?

Çdo njeri fëmijërinë e tij e kujton me nostalgji. Unë kisha privilegjin që u rrita në një familje ku të dy prindërit e kishin mundësinë të më zhvillonin kuriozitetin intelektual dhe bënë të pamundurën për këtë. Bisedat për shkencën e krijimtarinë që babi i filloi me mua nga mosha trevjeçare e tutje i vazhduam me po aq kënaqësi deri kur ai vdiq para 5 vitesh. Por dhe kujtimet e vështira të diktaturës si persekutimi politik i babit, pavarësisht që kanë humbur bagazhin emocional gjate viteve, janë një pjesë e identitetit dhe formimit tim dhe prandaj i ruaj.

Babai juaj ishte po ashtu matematikan. Cili ka qenë ndikimi i tij që ju t’i përkushtoheni shkencës?

I jashtëzakonshëm. Ai asnjëherë nuk me detyroi dhe as më shtyu në fushën e tij. Ma la në dore të zgjidhja çfarë më pëlqente. Por shembulli i tij, pasioni i tij ndaj shkencës dhe bisedat që bënte me mua që kur isha fëmijë për punën e tij dhe historinë e shkencës, patën shume influencë.

Në një intervistë tuajën në një radio amerikane ju flisni jo vetëm për pasionin tuaj për shkencën, por edhe për letërsinë – dhe tregoni një ngjarje, një përvojë me një poemë të Pushkinit.

Po, bëhet fjalë për një nga intervistat në NPR (National Public Radio). Arti, muzika klasike dhe letërsia kanë qenë shoqëruese të vazhdueshme për të stimuluar krijimtarinë. Mami im ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe unë u rrita mes tyre. Dhe babi im ka qenë shumë i pasionuar ndaj muzikës, letërsisë e artit dhe ma ushqeu që si fëmijë atë ndikim që kryeveprat botërore në çdo fushë zbukurojnë jetën njerëzore në çfarëdo lloj rrethane që ndodhesh.

Nëse do të kërkohej prej jush të përcaktoheshit mes Albert Einsteinit dhe Marie Curie – kujt do t’ia mbanit anën?

Nga zanati i bie t’ia mbajë Einsteinit. Por në realitet çdo shkencëtar që lë një trashëgimi në dijen njerëzore mbetet në piedestalin e pavdekshmërisë dhe nuk mund të ndash dot kush është më i rëndësishëm mes tyre.

Një kryevepër e shkrimtarit zviceran Friedrich Dürrenmatt, «Fizikanët», flet për një shkencëtar që ka zbuluar sekretin e të gjitha kauzaliteteve dhe është penduar për këtë nga frika e abuzimit me këtë dije… Sa i kanë në dorë shkencëtarët zbulimet e tyre dhe cilat janë dilemat që e shoqërojnë punën e tyre kërkimore në këtë fushë?

Procesi i dijes është spiral, si guri mbi gur deri sa bëhet kalaja. Kur shkenca arrin një stad të caktuar, ai zbulim që e shtyn në stadin tjetër më të lartë ka për të ndodhur diku e nga dikush  patjetër, shpesh një grup shkencëtarësh. Ajo shpikje merr jetë më vete në planet. Prandaj shpesh zbulimet bëhen paralele nga shkencëtarë të ndryshëm në vende të ndryshme në mënyrë të pavarur. Këtë proces nuk e kontrollon dot, as vetë shkencëtari që bën zbulimin, dhe bashkë me të dhe dilemat. Por aspekti i etikës së zbulimeve kërkon që dhe filozofia, kodi etik e kodi ligjor, të mundohen të ecin krahë për krahë me zhvillimet e shkencës dhe të teknologjisë. Për shembull interneti këto dy dekadat e fundit e ka transformuar mënyrën e të jetuarit, të punës, të komunikimit social, dhe të menduarit njerëzor. Faza tjetër do jetë supermacia e kompjuterëve kuantikë, energji nga burime të reja si fuzion, dhe inteligjenca artificiale. Por shumica e ligjeve dhe etikës akoma nuk janë në hap me këto zhvillime teknologjike, që të trajtohen dilemat dhe të krijojnë struktura që i rregullojnë këto dilema, prandaj akoma nuk aplikohen dot në boten kuantike dhe elektronike.

Një pyetje hipotetike: a ka bota afat skadimi, nëse, natyrisht, afatin e saj nuk e shkurtojnë politikanët?

Kur të kuptojmë çfarë është energjia e zeze, atëherë do të dimë t’i japim përgjigje pyetjes nëse skadon bota.

Thuhet se me kalimin e kohës, fizikanët bëhen filozofë. Sa qëndron kjo dhe a është ky vetëm një kalim në një gjendje tjetër «agregate», sepse metafizika edhe për nga semantika është afër fizikës?

Kush e tha këtë gjë? Tendenca është e kundërta. Metafizika e fizika kane qenë afër njëra-tjetrës në kohën e Aristotelit mbi 2000 vjet më parë. Platoni qe kundër. Tradicionalisht shkencat e natyrës konsideroheshin pjese e filozofisë natyrale deri para dy shekujsh, sepse dijet për natyrën dhe teknologjia e observimeve qenë më të kufizuara atëherë. Me revolucionin e metodës shkencore që ka pionier Descartin, e cila vë njerëzit në qendër të zbulimeve të fenomeneve të natyrës duke bërë provat eksperimentale, si dhe ngritjen e fizikës moderne nga fundi i shekullit ‘19 e tutje, këto dy fusha u ndanë njëherë e përgjithmonë në mënyrë precize nga njëra-tjetra. Në shkencë një teori nuk merret seriozisht nëse nuk ka prova eksperimentale që ta testojnë atë. Ky kriter i rëndësishëm për shkencën, nuk ekziston në filozofi. Dhe nëse objekti i studimit për të dyja fushat është i njëjtë, metodat dhe kriteret e studimit janë të ndryshme. Por ato e ndihmojnë njëra-tjetrën duke studiuar të njëjtin fenomen nga aspekte të ndryshme mendimi.

Do të donit të bëni një udhëtim në univers?

Jo. Ne kosmologji ne e «bëjmë» këtë përditë me imagjinatë.

Ju vizitoni shpesh Shqipërinë. Sivjet keni qenë edhe në Kosovë për të folur për punën tuaj. Ç’përshtypje keni nga këto vizita dhe mbi sistemin arsimor?

Vizita dhe ligjërata në Kosovë, mikpritja e ngrohtësia e njerëzve më prekën shumë. Një popull aq i vuajtur që sa ka kaluar plagët e luftës e ka mbijetuar në kushtet më të vështira me dinjitetin e tij të paprekur, ruan dhe këtë traditë të lashtë shqiptare të respektit në maksimum ndaj dijeve. Për leksionin tim publik në temën e universit, një teme mondane nga ana praktike e jetës së përditshme të njeriut, u regjistruan mbi 1000 veta që kishin ardhur nga të tëra anët e Kosovës, por vetëm 500 nxinte salla. Unë këtë lloj kurioziteti dhe interesimi për një fushë kaq të largët nga jeta ditore, por kaq të rëndësishme për ekzistencën dhe kuriozitetin njerëzor, si puna e krijimit të universit, nuk e kam parë në këtë shkallë të popullit të thjeshtë ne asnjë vend. Për mua qenë kënaqësi dhe nder ato dy dite të vizitës.

Si e përfytyroni bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen?

Si ai midis dy vëllezërve që nuk futet thjeshtë në kategorinë «bashkëpunim». Ndoshta aspekti politik i saj është kompleks. Por po ta shikosh në kontekstin historik është i thjeshtë. Përgjigja më koncize në këtë pyetje ka dalë në lëvizjen intelektuale – Rilindjen shqiptare – me thënien e famshme të Pashko Vases – «Feja e shqiptarit është shqiptaria» -, që është urtësia popullore e ekzistencës për të tëra trojet shqiptare kudo që janë.