Problemet e Shaqirit në Inter: ende në rolin e rezervistit

Xherdan Shaqiri ishte pritur me bujë në Milano, kur vendosi të largohej nga Bayern München dhe t’i bashkangjitet Interit të Milanos. Por euforia e dikurshme është shndërruar në refuzim, shkruan gazeta «Tages Anzeiger». Përse Shaqiri nuk po arrin ta dëshmojë talentin e tij?

Foto: Dashnim HEBIBI



Shifrat flasin: prej 13 ndeshjeve në ligën e parë italiane të futbollit Xherdan Shaqiri nuk ka luajtur as në gjysmën e tyre në kohëzgjatje të plotë. Ai ka dhënë vetëm një gol – nga penalltia. Dhe muajin e fundit ai është futur në lojë vetëm nga fundi i ndeshjes. «Nga mesi i janarit 23-vjeçari Shaqiri shkoi nga Bayern München te Inter Milano: Ai dëshironte të luante sërish, të tregonte talentin e tij të madh. Por ai tani përsëri është rezervist – në një klub, i cili në të vërtetë ka një emër të madh, por ende është mesatar», shkruan gazeta zvicerane «Tages Anzeiger».

Shaqiri ishte pritur me entuzuazëm në Milano dhe shumë shpejt kishte zënë faqen e parë të «Gazzetta dello Sport», por ndërkohë futbollisti që luan për kombëtaren zvicerane po ballafaqohet me kritika. Gazetat italiane dhe ekspertët e quajnë futbollist të mbivlerësuar, i cili jo vetëm që luan pak, por edhe kur luan nuk është në nivelin që pritet prej tij. «Shaqiri nuk po atakon më», thuhet në një raport në një webfaqe të fansave. Vëzhguesit pretendojnë se u ka rënë në sy që bashkëlojtarët qëllimisht nuk ia gjuajnë topin Shaqirit gjatë ndeshjeve. Për shembull në derbin kundër Milanos, kur Mauro Icardi nuk ia përcolli topin Shaqirit që gjendej në pozicion të përshtashëm para golit të kundërshtarit. Shaqiri reagoi me dëshpërim të dukshëm, shkruan «Tages Anzeiger».

Deri më tani – së paku kjo duket pozitive për Shaqirin – trajneri Roberto Mancini e ka mbrojtur futbollistin me origjinë nga Kosova prej kritikave të ashpra. Mancini thotë se nuk ekziston kurrëfarë «problemi Shaqiri» dhe nënvizon se bëhet fjalë për vështirësi të fillimit dhe përshtatjes, pasi që stili i futbollit, metodat e trajnimit dhe mënyra e jetës janë më të ndryshme në Itali se në Gjermani. Në një intervistë me «Gazzetta dello Sport» në fund të prillit Mancini tha se në Itali në përgjithësi ekziston njëfare padurimi sa i përket pritejeve ndaj futbollistëve: «Ne duam që gjithçka të shkojë shpejt. Por nganjëherë një lojtari të ri i duhet pak kohë derisa të mësohet në rrethin e tij të ri sportiv dhe privat». Sipas Mancinit edhe futbollistë si Marco van Basten dhe Michel Platini është dashur të mësohen me rrethanat në Itali para se të bëheshin yje të futbollit botëror. «Shaqiri është futbollist i mirë, i cili mund të ofrojë më shumë sapo t’i tejkalojë një qind për qind problemet e përshtatjes. Shaqiri personifikon të ardhmen e Interit» ka deklaruar trajneri.

«Tuttosport», njëra nga tri gazetat e mëdha të sportit në Itali, megjithatë shkruan se raporti mes Mancinit dhe Shaqirit është problematik. Sipas kësaj gazete trajneri i Interit është i zhgënjyer që Shaqiri ende ka dëshmuar pak shkathtësi për të treguar se e ka vendin në ekipin e parë të Interit. Në vend se të reagojë ndaj vështirësive Shaqiri po reagon i dëshpëruar dhe demotivuar, këmbëngulë «Tuttosport». Në ndeshjeet e fundit Shaqiri nuk ka luajtur, sepse më i bindshëm ishte Hernanes. Në sistemin aktual 4-3-1-2 të Mancinit braziliani Hernanes luan si lojtar ofensiv në mes pas dy sulmuesve. Pikërisht ky rol ishte parashikuar për Shaqirin.

Interi, një ekip i madh i themeluar më 1908, prej vitesh është vetëm ekip mesatar. Për herë të fundit Interi ka triumfuar më 2010, kur me trajnerin José Mourinho fitoi titullin e Ligës së Kampionëve.

Vëllai i Xherdanit Erdini, i cili është këshilltar i tij, tha se Xherdani do të qëndrojë në Inter duke respektuar kontratën katërvjeçare. Interi e kishte huazuar Shaqirin nga Bayerni nga mesi i janarit. Këtë verë hyn në fuqi kontrata e re që vlen deri më 2019 – mbase me rrogë vjetore prej 3 milionë euro, shkruan «Tages Anzeiger». Gjithashtu milanezët do t’i paguajnë Münchenit një shumë transferi prej së paku 15 milionë euro.

Ciriaco Sforza, ish-lojtar i Interit dhe i kombëtares së Zvicrës, deklaroi se ka frikë që krejt aventura e Shaqirit në Milano nuk do të përfundojë mirë. Fansat dhe shtypi nuk po e mbështesin, thotë Sforza, i cili llogarit se Shaqiri ndoshta do të shkojë në Angli. «Unë shpresoj që ai të mos hyjë si keqkuptim i madh në historinë e Interit dhe shpresoj të arrijë sukses në këtë ekip tradicional të futbollit italian», deklaroi Sforza.