Problemet e infrastrukturës pengojnë lulëzimin e turizmit në Shqipëri

Ndërsa numri i turistëve po shtohet dhe vendi po tërheq edhe pushues nga republikat post-Sovjetike, mungesa e infrastrukturës po pengon agjencitë turistike vendase të zgjerojnë biznesin e tyre.

Pamje nga Ksamili. Thomas Kauroff / Shutterstock

Çdo muaj të kësaj vere, dhjetëra fluturime çarter me më shumë se 150 njerëz në bord ulen në aeroportin e Tiranës, vetëm me turistë nga Ukraina.

«Nga mesi i majit deri në shtator na vijnë tre nga këto çarter çdo dhjetë ditë sepse turistët ukrainas tani po zbulojnë Durrësin, Vlorën, Sarandën dhe Ksamilin,» thotë Tetiana Bajraktari, pronare e agjencisë së udhëtimit Aler Travel, që synon t’i njohë pushuesit ukrainas, rus dhe folësit e tjetër të rusishtes me bukuritë e Shqipërisë.

Bajraktari erdhi nga Kievi në Tiranë nëntë vite më parë për t’u martuar. Në Ukrainë miqtë dhe familjarët e saj ishin të shqetësuar për jetën e saj të re me një burrë shqiptar si rezultat i imazhit stereotip që kishin në mendje.

«Përpara se të vija, dëgjova se Shqipëria ishte një vend fanatik mysliman me kriminalitet të përhapur dhe pa shumë gjëra për të ofruar», tha ajo për BIRN.

«Ajo që gjeta ishte një realitet krejt i ndryshëm dhe misioni im u bë i qartë; duhej t’i tregojna njerëzve në Ukrainë se gaboheshin», shtoi ajo.

Me atë ide në mendje dhe me synimin për të filluar një biznes të mirë në vendin e saj të ri, Tetiana krijoi agjencinë e saj turistike në vitin 2013.

Pas pak, mundimet e saj filluan të shlyhen dhe grupet e para të ukrainasve filluan të tregojnë interes në Shqipëri.

Vendi që ngjan perfekt në pankartat promocionale, me opsione më të lira se Mali i Zi dhe Greqia fqinje dhe ofertat fillojnë nga vetëm 300 euro për 11 ditë në bregdet.

Por ndërsa Tetiana dhe agjenci të tjera udhëtimi po sjellin gjithnjë e më shumë turistë për herë të parë në Shqipëri çdo vit, telashet e vendit me infrastrukturën turistike – rrugët, linjat e fluturimeve dhe akomodimin – mbeten të pazgjidhura.

Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit raportoi se pati 4,1 milionë turistë vendas dhe të huaj në Shqipëri në 2015.

Brunilda Licaj, një eksperte në turizëm dhe profesoreshë në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës i tha BIRN se ttë gjithë treguesit sugjerojnë se numri do të jetë edhe më i lartë këtë vit.

«Shifrat e turistëve nga Ukraina, Polonia, Suedia, Gjermania dhe Zvicra po rriten këtë vit në Shqipëri. Besoj se faktori kryesor ka qenë pjesëmarrja e vendit në shumë ekspozita turizmi kohët e fundit», tha ajo.

Një tjetër faktor, sipas Licaj është numri në rritje i kroçierave dhe jahteve private që po ndalojnë në portet e vendit.

Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit, ËITTC, një autoritet global për kontributin social dhe ekonomik të turizmit, në raportin e vet të fundit vlerësoi se kontributi direkt i turizmit në Shqipëri për 2015 ishte i barasvlefshëm me 6 për qind të PBB-së, një shifër që pritet të shkojë në 7,9 për qind deri në 2026.

Raporti gjithashtu theksoi se në 2015, turizmi dhe udhëtimet mbështetën direkt 51’000 vende pune në Shqipëri, 5.5 për qind të punësimit total.

«Kjo pritet të rritet me 3,4 për qind në 2016 dhe dhe të shkojë në 7,4 për qind të punësimit total në 2026», thotë raporti.

Megjithatë, ndonëse qeveria deklaron se është plotësisht e angazhuar në mbështetjen e sektorit turistik në vend, agjencitë dhe operatorët përballen me vështirësi pafund dhe mungesë të ndihmës nga shteti.

Pengesa më e madhe në rritjen e turizmit në Shqipëri konsiderohet infrastruktura e keqe, publike dhe private.

«Ne donim të fillonim sezonin turistik veror këtë vit në fillim të prillit, por në Sarandë dhe zona të tjera turistike, rrugët ishin ende në rikonstruktim», vërejti Bajraktari.

Ajo pa një tjetër vështirësi madhore në faktin se industria e hotelerisë në Shqipëri nuk është e organizuar. «Ne ende nuk kemi një sistem të standardizuar për vlerësimin e hoteleve», tha ajo.

Brunilda Licaj e quan «ofertën e fragmentizuar turistike» një problem real për Shqipërinë, ndonëse vendi ka avantazhin e plazheve të bukura në jug dhe çmimeve më të ulëta krahasuar me Turqinë. «Neve na mungojnë ende paketat me gjithçka të përfshirë», theksoi ajo.

Një tjetër pengesë është çmimi i lartë i biletave të fluturimit në Shqipëri dhe mungesa e fluturimeve direkte.

Më shumë duhet bërë gjithashtu te shërbimi i klientit, një fushë që vende si Greqia, Mali i Zi dhe Turqia e kanë përsosur.

«Një tjetër problem për ne është se Shqipëria ka vetëm një grup të vogël njerëzish që flasin gjuhët ish-sovjetike, ndaj shumicën e kohës duhet të punësojmë njerëz nga Ukraina për ta bërë këtë, gjë që shton kostot tona», tha Bajraktari.

Agjencia e saj tani po peshon idenë e sjelljes në Shqiëpri të turistëve rusë përmes një linje çarter.

Por për tani pengesat e vjetra mbeten në vend. «Po ngadalësojnë planet tona, pasi duhet të jemi të kujdesshëm… Në këtë industri, kemi shprehjen: Më mirë pa turistë sesa me një turist të zhgënjyer», përfundoi ajo.

(reporter.al: http://www.reporter.al/problemet-e-infrastruktures-pengojne-lulezimin-e-turizmit-ne-shqiperi/)