Prizreni, qytet i kulturës dhe i krimit

Peizazhi urban me monumente të ndryshme historike bashkë me aktivitetet e ndryshme nga fusha e artit, Prizrenit ia kanë dhënë epitetin e qendrës kulturore në Kosovë, ndërkohë që incidentet gjithnjë e më të shpeshta, madje edhe me bilance tragjike, po ashtu ia kanë dhënë atë të qytetit të krimit, shkruan sot Koha Ditore.




Në bazë të vlerësimeve të aktivistëve nga Prizreni, këto dy realitete bashkëjetojnë në këtë qytet për faktin se në njërën anë nismat qytetare kanë dëshmuar civilizimin lokal, derisa në anën tjetër institucionet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e përgjegjësive të tyre për luftimin e krimit dhe ofrimin e sigurisë.

«Në Prizren ekziston një diskrapancë mes pushtetit, përkatësisht institucioneve të drejtësisë dhe nivelit të zhvillimit qytetar. Drejtësia, pushteti dhe institucionet nuk kanë mundur me i ndalë zhvillimet kulturore të cilat kryesisht janë nisma të qytetarëve dhe tregojnë civilizimin qytetar që ka Prizreni. Përkundër asaj që çdo qytet mundet me pasë zhvillime kulturore dhe civilizim, normalisht që ka edhe veprime kriminale, për të cilat janë përgjegjëse institucionet e drejtësisë dhe fryma që e ka krijuar pushteti aktual. Kujtoj se diskrapanca qëndron mes asaj që udhëhiqemi nga institucionet dhe zhvillimit që e reflektojnë qytetarët e Prizrenit», ka thënë Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2014 në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 6 raste të vrasjes me 6 persona të vrarë, ndërsa gjatë këtij viti kanë ndodhur 6 raste me 8 persona të vrarë, ku në njërin prej rasteve qenë vrarë tre persona.

Lidhur me këto çështje, këshilltari i «Vetëvendosjes», Arbër Rexhaj, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal pati kërkuar që ky organ të debatojë për gjendjen e sigurisë në Komunën e Prizrenit, si dhe për rastet e krimeve serioze. Por për këtë propozim nuk ka pasur asnjë reagim në KK.

Shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, ka theksuar se pushteti lokal vazhdimisht merr vendime që ta forcojë idenë që Prizreni është qendër e kulturës dhe qytetërimit, si me anë të projekteve, me ruajtjen e Qendrës Historike, promovimin e turizmit e etnomuzeve, derisa ka pranuar se pjesa e krimit si trend që po ndodh është shqetësuese për drejtuesit e saj.