Privatizimi i PTK-së: Kosova rrezikon të humb gati 400 milionë euro për shkak të korrupsionit

Një shoqëri investitorësh nga Hamburgu me këshilltarë të njohur gjermanë dhe amerikanë e ka paditur Kosovën, këtë vend të varfër. Vendimi i gjykatësve të arbitrazhit në Washington do të tregojë se sa siguri gëzojnë investitorët në Kosovë, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», e cila për këtë tragjedi kosovare i bën përgjegjës politikanët e korruptuar dhe menaxherët e paaftë të PTK-së.

Selia e PTK-së në Prishtinë.

Së shpejti gjykatësit e arbitrazhit të Qendrës ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve që lidhen me investime me seli në Washington do të vendosin për një rast, i cili brenda vetes përmban edhe barut politik. Në njërën anë është shoqëria investuese ACP Axos Capital, e cila vepron në Hamburg, në anën tjetër shteti i Kosovës. Axos Capital e drejtuar nga specialisti i telekomunikimit Jan Budden së fundi ka kërkuar nga gjykatësit e arbitrazhit në Washington të merret me rastin dhe po kërkon 390 milionë euro dëmshpërblim nga shteti i varfër i Kosovës, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ).

Konflikti ka shpërthyer pas rrëmujës disavjeçare mbi privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), një perlë në fushën e ndërmarrjeve në Ballkan. Privatizimi i PTK-së ka dështuar dy herë. PTK ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse e vendit të vogël, në vitin 2007 ajo kishte një qarkullim prej 200 milionë euro. Pikërisht për shkak se ishte ndërmarrje fitimprurëse PTK, sipas gazetës gjermane, ajo ishte thellë e zhytur në varësi politike dhe në ekonominë e nepotizmit. Me vite të tëra kjo ndërmarrje me fitimet e saj ka mbështetur buxhetin e Kosovës, në tetë vitet e fundit PTK ka mbushur arkën e buxhetit me rreth gjysmë miliardë euro.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» thekson se figura të rëndësishme politike janë rehatuar duke marrë poste fitimprurëse në të gjitha nivelet e ndërmarrjes shtetërore. Po ashtu shumë ndërmarrje të afërta me partitë në rrethana enigmatike morën kontrata të leverdishme.

Në prill të vitit 2013 Axos kishte fituar tenderin për privatizimin e PTK-së. Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Axos mund të duket firmë e parëndësishme, por në bordin e kësaj ndërmarrjeje gjenden personalitete të rëndësishme politike: ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Volker Rühe, ish-këshilltari për politikë të jashtme i kancelarit Hemlut Kohl, Horst Teltschik, ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Burt, si dhe shumë menaxherë dhe investitorë nga sektori i telekomit.

Sipas gazetës nga Frankfurti PTK-në përveç Axos synonte ta merrte edhe Albright Capital, ndërmarrja investuese e ish-ministres amerikane të punëve të Jashme, e cila është një grua që si gjuetare vrapon pas ndërmarrjeve në ish-Jugosllavi. Kandidatë të tjerë ishin Turkcell, ndërmarrja më e madhe e telekomunikacionit e Turqisë, e cila gjithnjë e më shumë kontrollohet nga presidenti Rexhep Taip Erdoan, dhe grupi M1 i kryeministrit të dyfishtë të Libanit, Naxhip Mikati, njëri prej njerëzve më të pasur të vendit. Axos, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung», e fitoi tenderin, sepse në sytë e kosovarëve gjermanët kishin bërë ofertën më të mirë. Kjo ofertë përfshinë jo vetëm çmimin më të lartë blerës, por edhe garanci për investime për shumë vite.

E përditshmja gjermane njofton se procesi i privatizimit mbeti në qorrsokak për shkak se opozita e akuzoi qeverinë (atëbotë të prirë nga Hashim Thaçi) se e kishte shitur ndërmarrjen fitimprurëse duke u bazuar në rregulla të dyshimta ligjore. Ditën e fundit të vitit 2013 ministri përgjegjës anuloi privatizimin dhe gjatë një konference telefonike që nuk zgjati as 10 minuta tërhoqi pajtimin për privatizim të PTK-së. Axos thekson se me vite të tëra ka punuar pa dobi për të privatizuar ndërmarrjen kosovare dhe tani kërkon nga shteti i Kosovës dëmshpërblim para Gjykatës së Arbitrazhit në Washington.

Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» vendimi i gjykatësve në Washington do të tregojë sa siguri gëzojnë investitorët e huaj në Kosovë, e cila ka nevojë urgjente për kapital. Por, gazeta pyet nëse marrëveshjet për mbrojtjen e investimeve, të cilat janë të obligueshme edhe në rrafshin ndërkombëtar, do të ndalin korrupsionin dhe menaxhimin e keq në Kosovë.

Gjykata e Arbitrazhit në Washington është një nënorganizatë e Bankës Botërore, e cila angazhohet në ngatërresa të ndërlikuara mes institucioneve private dhe një vendi. Vendimet e gjykatës kanë peshë dhe pothuaj asnjë vend nuk mund t’i kundërvihet Bankës Botërore, shkruan gazeta gjermane, e cila nënvizon se gjykatësit duhet të sqarojnë edhe shumë çështje delikate juridike, që lidhen me marrëveshjet që kanë qenë të vlefshme në kohën e Jugosllavisë dhe me dyshime për korrupsion.

FAZ e quan procesin e dështuar të privatizimit të PTK-së tragjedi për Kosovën, sepse fitimi i PTK-së viteve të fundit ka rënë në mënyrë dramatike. «Ndërmarrja nuk i ka bërë investimet urgjentisht të nevojshme, ka humbur pjesë në treg dhe ende gjendet në duart e një menaxhmenti politik me talent të dobët në drejtimin e një ndërmarrjeje moderne të telekomunikacionit», shkruan FAZ. PTK ende i takon shtetit, por perlë nuk është më.