Pritja e vetmuar e një nëne pranë varrit të zbrazët të të birit

Që prej vitit 1999, Nesrete Kumnova është kujdesur për një varr bosh për djalin e saj, i cili u zhduk gjatë luftës në Kosovë – dhe tani e ka treguar historinë e tij në një libër.

Nesrete Kumnova.



 

Tashmë prej 18 vjetësh, Nesrete Kumnova kujdeset për një varr për djalin e saj të zhdukur, Albionit, duke e rigdhendur vazhdimisht emrin e tij në mermer pasi vitet që kalojnë bëjnë që ai të zbehet, dhe duke pritur fundin e kërkimit të saj për ta gjetur atë. Në 19 vjetorin e kapjes së tij nga serbët më 31 mars të këtij viti, Kumnova i shtoi librin e saj qindra dokumenteve dhe sendeve personale që i përkisnin djalit të saj, për të cilat ajo është kujdesur. Në një dhomë në shtëpinë e saj në qytetin perëndimor të Gjakovës në Kosovë, ku ajo ka shpërndarë disa kopje të monografisë bashkë me sendet Albionit, perdet e zbehta dhe të trasha kontribuojnë në një ndjesi zymtësie.

Monografia është një histori personale si dhe kolektive rreth sagës së personave të humbur të Kosovës.

«Kam frikë se varri i tij do të mbetet bosh përgjithmonë. Ne po plakemi e kush e di? Kështu që doja diçka për të», shpjegon Kumnova. Një javë pasi NATO filloi sulmet ajrore kundër Ushtrisë Jugosllave në mars të vitit 1999, Albioni, në atë kohë 21 vjeç, u mor nga shtëpia e tij në Gjakovë, së bashku me pesë të afërm të tjerë civilë. Në ditët që pasuan, ajo kërkonte të mësonte se ku e kishin çuar Albionin. «Ndërsa po ecja nëpër zyrat e MUP-it (ish-ministria e brendshme jugosllave) në Gjakovë, një grua serbe, një ish-kolegia ime, më tha se ndoshta do ta dija fatin e djalit tim pas dy vjetësh», kujton ajo.

Albioni është vetëm një nga 1658 persona që janë ende në listën e zhdukurve. Shumica e tyre janë shqiptarë, edhe pse në listë ka edhe serbë. Kumnova, tani 66 vjeçe, e cila humbi gjithashtu edhe një dhëndër, një nip dhe gjashtë anëtarët e tjerë të familjes në luftë, thotë se Albioni u mor nga një patrullë e policisë serbe, kështu që «po të donin, ata mund ta tregonin vendndodhjen e tij». «Ata ma morën të birin peng gjallë, tani po e mbajnë peng të vdekur», thotë ajo. Ajo drejton një shoqatë lokale që përfaqëson familjet e personave të zhdukur të quajtur «Thirrjet e Nënave» dhe që nga përfundimi i luftës ka qenë aktive në protesta duke bërë thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që kjo e fundit të zbulojë fatin e të zhdukurve. Në të njëjtën kohë, ajo ka vazhduar të kërkojë varre masive brenda Kosovës. «Vazhdova ta kërkoja, të vdekur dhe të gjallë në të njëjtën kohë», thotë ajo.

Pas luftës, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kreu zhvarrime në varre masive në Kosovë ndërkohë që identifikimet u kryen kryesisht sipas metodës klasike të rrobave apo sendeve të tjera. Së shpejti, kur në Serbi filluan të zbuloheshin varre masive dhe eshtrat e viktimave u rikthyen në Kosovë, Kumnova priti me shpresë për djalin e saj. «Shkova në pikën kufitare të Merdares 19 herë për të pritur rikthimin e eshtrave të personave të zhdukur, e bindur se Albioni do të ishte midis tyre. Por ai nuk ishte tek asnjë nga ata që u kthyen», rikujton ajo.

Në prill 2011, kur eshtrat e personit të parë nga grupi i njerëzve që u morën bashkë me Albionin u gjetën në Batajnica pranë Beogradit, Kumnova kujtoi atë që kolegia e saj serbe i tha saj në vitin 1999. Pesë vjet më vonë, eshtrat e të tjerëve u gjetën në Serbi dhe u varrosën në qytetin e tyre. Vetëm Albioni mungon ende. Kumnova, e cila drejtoi komisionin e qeverisë së Kosovës për personat e zhdukur nga viti 2005 deri në vitin 2007, thotë se gjetja e vareve masive do të mbetet një sfidë për vendin për një kohë të gjatë, ashtu si edhe identifikimet e sakta dhe varrosjet e viktimave.

Në disa raste, ka pasur gabime në identifikimin e viktimave gjatë dy viteve të para pas luftës. Si rezultat, disa familje kanë varrosur dikë tjetër në vend të personave të tyre të dashur. «Ka pasur shumë varrosje të pasakta dhe në të njëjtën kohë në morgun e Prishtinës ka shumë eshtra që nuk dihet se kujt i përkasin. Riidentifikimi do të jetë një problem i madh sepse shumë familje do të refuzonin të rihapnin varret», thotë ajo. Rihapja e një varri nënkupton rihapje të plagëve të vjetra. «Kam shumë presion nga familjet që nuk duan t’i rihapin me varret, pavarësisht se trupi i kujt prehet në të», shton ajo.

Eshtrat janë përzier kur janë varrosur dhe pastaj janë të rivarrosur në varre masive, ndërsa procesi i identifikimit shpesh ka identifikuar një kockë të vetme nga skeleti i një personi të gjetur në një varr, ndërsa eshtrat e tjera janë gjetur nëpër vende të tjera.

Kumnova sugjeron që Kosova duhet të ndjekë shembullin e Bosnjës dhe Hercegovinës kur bëhet fjalë për identifikimin. «Pjesë eshtrash që mund të identifikohen më vonë duhet të varrosen në një varr të përbashkët për të shmangur hapjen e pafundme të varreve sa herë që të identifikohen kocka të tjera», thotë ajo. Kumnova beson se Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kanë bërë shumë pak për të gjetur personat që rezultojnë ende të zhdukur. Çështja nuk është në tryezë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradi që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve, të cilat vazhdojnë që prej vitit 2011. «Nuk mund të ketë dialog që shmang çështjen e personave të zhdukur», shprehet ajo.

Ndërkohë që shfleton monografinë për djalin e saj, duke e mbajtur me duart që i dridhen, Kumnova thotë se shoqata që përfaqëson familjet e personave të zhdukur nuk mun ta zgjidhë e vetme problemin. «Dialogu po mbahet mbrapsht. Ne në fillim duhet të gjejmë personat tanë të zhdukur, viktimat, dhe pastaj të bisedojmë për çështje të tjera», thotë ajo.

Ndërsa EULEX-i përgatitet të përfundojë mandatin e tij në qershor dhe prokurorët i dorëzojnë dokumentet homologëve të tyre lokalë, ka rreth 2000 dosje personash të zhdukur të klasifikuara si krime lufte të cilat priten t’i transferohen prokurorëve të Kosovës. Megjithatë, Kumnova nuk është optimiste se gjërat do të ndryshojnë për mirë kur çështjet të merren përsipër nga autoritetet e Kosovës. Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndërmori një nismë për krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin që synon të inkurajojë falje reciproke midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve.

Kumnova e konsideron idenë si të parakohshme. «Ne duhet të dimë të vërtetën dhe fillimisht të kërkojmë drejtësi për viktimat. E kam fjalën viktimat nga të gjitha anët», thotë ajo. «Kushtet nuk janë plotësuar ende. Nuk ka ardhur ende koha për pajtim». Nëse do të ishte ende gjallë, djali i saj Albioni do të mbushte 41 vjeç në tetor. «Shpresoj që deri atëherë të mund t’ia gjej eshtrat», thotë ajo. (BIRN, kallxo.com)