Prishtinë-Zagreb-Zürich: Kolona e veturave si përjetim

Nga fletorja e shënimeve verore.

Ilustrimi: Shutterstock

1.
Bisedimet e Edita Tahirit me Serbinë kanë sjellë mrekulli. Zonja ministre na thotë se marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit (jo mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë!) lehtësojnë jetën e qytetarëve. Ashtu është. Për shembull: vjen në Kosovë dhe në pikën kufitare me Shqipërinë polici i Republikës vulos pasaportën, fundja kjo është detyrë e tij. Kur vjen dita të kthehesh në Zagreb apo në Zürich, duhet të kalosh nga Maqedonia, sepse vulën e Republikës së Kosovës nuk e pranon Serbia. Në Merdar polici serb do të thotë: «Keni hyrë në territorin e Republikës së Serbisë përmes një pike kufitare të cilën nuk e kontrollojnë organet e Republikës së Serbisë». Pra, pika kufitare e Vërmicës nga Serbia ende konsiderohet pjesë e Serbisë e kontrolluar nga policia e «të ashtuquajturës Republikë e Kosovës». Zgjidhja e vetme për të vazhduar udhëtimin nga Prishtina në Zagreb është të marrësh rrugën përmes Ferizajt, Hanit të Elezit (serbët ende e quajnë Gjeneral Jankoviq), Shkupit, Kumanovës.

2.
Në Tabanoc (serb. Tabanovce) procedura e kontrollit kufitar nuk zgjat më shumë se 15 minuta. Në të dy anët shihen fshatra shqiptare rreth e rrotull Kumanovës dhe Preshevës. Kufiri është futur si thikë mes këtyre trevave të banuara me shqiptarë. Para policëve kufitarë ta zënë rrugën lypës romë, pastrues romë të xhamave të veturës, shitës të CD-ve – Ceca, albumi më i ri, tallava të këngëtarëve shqiptarë dhe gjithçka nga bërlloku akustik ballkanik.

3.
Pjesa më e madhe e autostradës mes Preshevës dhe Leskocit (serb. Leskovac) është ndërtuar tashmë. Bëhet fjalë për 74 kilometra rrugë moderne, të cilën qeveria e Serbisë po e përfundon për 380 milionë euro (prej tyre Greqia ka paguar 100 milionë euro). Sa për krahasim: në Kosovë rreth 70 kilometra autostradë nga Vërmica në Arllat (dhe pak kilometra rreth e rrotull Prishtinës) kanë kushtuar mbi 800 milionë euro. Kontratën Qeveria e Kosovës e mban të fshehur. Paratë, ndërkaq, siç dihet, janë të popullit të varfër të Kosovës.

4.
Kur flasin për turqit serbët shpesh ia nisin muhabetit në vitin 1389. Përmendin Betejën e Kosovës të vitit 1389 si ngjarje të rëndësishme të popullit serb, duke heshtur faktin se fati i Kosovës si pjesë e Perandorisë Osmane nuk u vulos më 1389, por më 1448 në Betejën e Dytë të Kosovës, të cilën serbët, si vasal të rinj të Stambollit, e bojkotuan. «Në nëntor 1448 Murati II mposhti deri në shfarosje ushtrinë hungareze pikërisht në atë fushë ku ishte zhvilluar beteja e vitit 1389. Skënderbeu ishte kurthuar në zënka të vogla në Shqipërinë e veriut dhe ishte vonuar të mbërrijë në lindje. Tek beteja e dytë në Fushë-Kosovë vulosi fatin e Kosovës. Despoti serb nuk e kishte mbështetur ushtrinë katolike (hungareze dhe shqiptare, v.j.)», shkruan historiani Oliver Jens Schmitt. Përkundër urrejtjes së kultivuar me shekuj kundër turqve, në autostradën Nish-Beograd flamujt turq valojnë gati në çdo pompë benzine, reklama në gjuhën turke njoftojnë për oferta me ushqim hallall, me motele që kanë edhe dhoma të veçanta për të falur namazin, me mundësi për fjetje. Mijëra turq – gastarbajtarë dhe shoferë kamionësh – për çdo ditë kalojnë nëpër Serbi. Dhe lënë miliona euro. Aty ku e shohin mundësinë të fitojnë ndonjë dinar, biznesmenët serbë e harrojnë historinë e urrejtjes.

5.
Udhëtimi nga Prishtina në Zagreb është përjetim dhe sprovë durimi për shkak të kolonave të gjata në pikat kufitare. Në Batrovci, një fshat në komunën e Shidit në Vojvodinë, krahinën veriore të Serbisë, gjendet pikëkalimi më i rëndësishëm kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë. Këtu bëhen bashkë shqiptarë të dëshpëruar e të lodhur, të cilët s’guxojnë t’i tregojnë pasaportat e Kosovës, por vetëm një letër A4, të cilën ua ka lëshuar policia serbe në Merdar apo te Dheu i Bardhë afër Bujanocit, turq që pasi kanë kaluar pushtimet verore në Turqinë e trazuar kthehen në Gjermani, Austri apo Zvicër, serbë nga Shumadia që kthehen në Vjenë, gastarbajterë rumunë që kthehen në Itali, pasunarë të rinj nga Rumania që duan t’i kalojnë pushimet në bregdetin kroat, vajza nga Beogradi që duan të kalojnë pushimet në krahinën e Istrës në Kroaci (për shkak se në Istër nuk ka pasur luftë, serbët nuk shikohen me aversion të madh, siç ndodh në Zarë, Shibenik, Trogir, Split dhe Dubrovnik). Përballë kësaj mase njerëzish kolona para Batrovcit zgjatet në pafundësi dhe para se të mbërrish te polici kufitar serb, duhet të durosh nja 3 ose 4 orë. Pastaj fillon shtyrja jo me bërryla, por me vetura për të depërtuar sa më shpejt te policët kroatë.

6.
Shumica e shoferëve vendosin të vazhdojnë rrugën torturuese drejt Europës Perëndimore pasi bëjnë një sy gjumë nëpër pompa benzine, ku rendi i burrave dhe grave për të hyrë në tualet të kujton pritjet për qumësht në epokën e socializmit jugosllav apo pritjen për mish në Tiranën e Enver Hoxhës të viteve ’70 apo ’80. Në Serbi gati të gjithë ndalen në pompat e benzinës të kompanisë austriake OMV, ndërsa vetëm ndonjë serb apo bullgar ndalet në pikat e karburantit të Lukoil-it rus. Në Kroaci nuk ke alternativa të tjera përveç se të ndalesh në pompat e benzinës të INA-s; Kroacia deri më tani nuk ka lejuar hyrjen në treg të gjigantëve të mëdhenj të karburanteve si BP apo SHELL. Kolona e gjatë e udhëtarëve mes Stambollit dhe Sllovenisë për gati të gjitha vendet e rajonit ka rëndësi të madhe ekonomike: miliona litra benzinë, ujë dhe kafe shiten pandërprerë, duke mbushur arkat sidomos të buxhetit të Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë. Edhe çaji shkon rrëke, natyrisht «çaji i rusit», por këtë e sjellin turqit me vete.

7.
Ndoshta nuk ka vendim më të mirë se sa në rrugën nga Prishtina në Zürich të flesh në Zagreb. Të shuash urinë në një restorant të mirë me kuzhinë italiane. Të shëtitësh mëngjesin tjetër në tregun e Dollacit afër Sheshit Ban Jelaçiq. Të blesh ndonjë libër, ndërsa shitësja me ton shfajësues thotë: «Më shumë po shkruajnë autorët e huaj; këta tanët jo aq». Kroacia gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi Qeveria jostabile është rrëzuar. Në zgjedhjet e fundit (nëntor 2015) në parlamentin kroat u zgjodh një përfaqësuese e komunitetit shqiptar. Në vend se ta mbështesin sërish të njëjtën kandidate, shumë arrivistë shqiptarë duan të kandidojnë për zgjedhjet e 11 shtatorit. Bajraktarizmi si sëmundje shqiptare është shtrirë edhe në Kroaci.

8.
Më së voni para tunelit të Karavankeve, i cili lidhë Slloveninë me Austrinë, udhëtarët ndjejnë pasojat e realitetit të ri politik në Europë. Për shkak të valës së refugjatëve Schengeni pothuaj është suspenduar dhe Qeveria e Austrisë ka rikthyer policinë në pikat kufitare. Në të vërtetë, në krahasim me vitin e kaluar numri i refugjatëve ka rënë në mënyrë drastike, por njoftimet e javëve të fundit se po rritet numri i sirianëve në rrugën ballkanike, ka ndikuar në ashpërsimin e regjimit kufitar. Rrjedhimisht, udhëtarët duhet të presin deri në 3 orë para se të hyjnë në tunelin e Karavankeve dhe të dalin në Austri. Vitin e kaluar Austria ka njoftuar se do të fillojë ndërtimin e një tuneli të dytë nëpër Karavanke. Punimet përgatitore tashmë kanë filluar dhe pritet të përfundojnë në vitin 2021. Pastaj do të fillojë sanimi i tunelit ekzistues. Nga viti 2023 masivin malor mes Sllovenisë dhe Austrisë do ta përshkojnë dy tunele me nga dy korsi. Ky investim pritet ta lehtësojë dukshëm qarkullimin.

9.
Sprova e ardhshme e durimit nisë pak pas Salzburgut, në kufi me Gjermaninë. Edhe gjermanët kanë nxjerrë policinë në kufi, ndonëse kontrolli nuk është aq rigjid, por mjafton të ndalen çdo e dhjeta veturë dhe kolona sërish arrin në pafundësi. Edhe këtu pritja zgjat rreth dy orë. Afër Münchenit populli i kolonave automobilistike shpërndahet. Disa shkojnë në drejtim të Gjermanisë lindore, të tjerët në drejtimin perëndimor, disa drejt Gjermanisë qendrore. Në drejtim të Zvicrës trafiku nuk është aq i dendur, por lodhja ndikon në koncentrim. Këmba rrëshqet pak më shumë se ç’duhet në pedalen e gazit dhe në orën 4 të mëngjesit Zvicra të përshëndet me një shkreptimë. S’është fishekzjarr, por një dritë flakëruese e një aparati për matjen e shpejtësisë.

10.
A ia vlen të udhëtosh me avion apo me veturë nga Europa Perëndimore në Kosovë? Mendimet janë të ndara. Po erdhe me veturë, në atdhe je mobil. Mund të shkosh në Shqipëri për pushime, të vizitosh ndonjë mik në Strugë a Preshevë, të bësh një xhiro deri në Ulqin. Nëse vjen me avion, duhet të paguash deri në 700 franga apo euro për një biletë. Një çmim marramendës, sidomos për familje me shumë anëtarë. Me këto para mund të kalosh një javë të mrekullueshme në Spanjë dhe jo, ta zëmë, në Suharekë. Mund të kalosh një javë në Gjibraltar dhe jo në Gjilan apo Gjakovë. Por edhe udhëtimi me veturë nuk është aq i lirë, sidomos nëse udhëtoni vetëm. Duhet të paguani benzinë mes 150 deri në 200 euro (varësisht çfarë veture ngisni dhe çfarë stili të vozitjes preferoni), rreth 70 euro taksa të autostradës, nja 50 euro për ushqime, nja 100 euro për fjetje (nëse s’ndiheni rehat në karrigen e veturës dhe në hapësirën e parkimit në ndonjë pikë karburanti), por çmimi më i lartë është koha: dy ditë rrugë dhe shumë nerva të humbura duke pritur nëpër gardhet kufitare ballkanike, austriake dhe gjermane. (Për adhuruesit e turshive udhëtimi me veturë është edhe më i shtrenjtë: dy-tre thasë «somborka», një varg me hudhra të Leskocit, dy vargje me speca të kuq, të cilët mund të bëjnë mrekulli nëse një ditë dimri i hedh në tenxheren me fasule).