Prishtina subvencionon «Dëshirën»

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci e shoqëruar nga asamblistja Kimete Zeqa vizitoi shoqatën «Klubi Dëshira» që ofron përkujdesje ditore për personat me ngecje mendore dhe intelektuale, njofton kumtesa komunale.




Drejtoresha Bogujevci tha se qëllimi i kësaj vizite është që të njihet për së afërmi me kushtet dhe nevojat që i ka kjo shoqatë. Ajo, po ashtu, i njoftoi se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka të planifikuara edhe subvencione për aktivitetet të ndryshme, ndërsa i inkurajoi që të bashkëpunojnë me bibliotekën e qytetit në mënyrë që të avancohen edhe më teje në shkrim dhe lexim, transmeton Koha.net.

Një prej mundësive të tjera, sipas drejtoreshës Bogujevci është që në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit dhe institucionet e tjera këtyre personave t’iu ofrohet mundësia e zhvillimit të një jete normale. Të pranishmit i falënderuan përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës për vizitën si dhe u shprehën të gatshëm për bashkëpunim për mundësitë që i ofron Komuna e Prishtinës.

Ndërkohë, me datë 13 tetor, me rastin e ditës ndërkombëtare për persona me ngecje mendore dhe intelektuale, drejtoresha Saranda Bogujevci, grupi i grave asambliste, dhe përfaqësues të Zyrës për Çështje Gjinore do ta vizitojnë shoqatën «Klubi Dëshira».