Prishtina shton numrin e bashkësive lokale

Prishtinë, 7 tetor - Ende nuk është arritur ndryshimi i Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Prishtinës, por kryeqytetit pritet t’i shtohen edhe disa bashkësi lokale, nga 33 sa ka aktualisht.




Autoritetet komunale nuk mund të thonë saktësisht se sa BL do të shtohen, por saktësojnë se do të shtohen. «Shtimi i bashkësive lokale, si organizime ndërmjetëse midis autoriteteve komunale dhe qytetarëve, shihet si formë e zhvillimit të demokracisë», ka theksuar kryetari i Bashkësisë Lokale në kryeqytet, «Dardania», e cila aktualisht përfshin edhe lagjen «Kalabria», Safet Kamberaj.

Meritor për këtë lidhje Kamberaj e bën drejtorin e Drejtorisë së Administratës Komunale në Prishtinë, Muhedin Nushi, të cilin e cilëson si të arsyeshëm dhe të përpiktë për forcimin e lidhjeve qytetar-pushtet komunal. Sidoqoftë, autoritetet komunale po provojnë që formimin e bashkësive të reja lokale ta bëjnë tashti kur kryetarëve të BL-ve ekzistuese u përfundon mandati.

Ai thekson se ndarja territoriale do të bazohet në zonat kadastrale, pa e përjashtuar edhe mundësinë që disa lagje me numër të vogël banorësh të bashkohen me lagje më të mëdha.

Po ashtu tregon se do të përfshihen në organizim edhe lagje të reja të komunës.
Projekti realizohet nga Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me projektin «DEMOS», i cili financohet nga «Helvetas Swiss Intercooperation»