Prishtina pret 5 milionë euro të hyra nga legalizimi i objekteve pa leje

Komuna e Prishtinë, në bazë të planifikimit buxhetor për vitin 2016, vetëm nga legalizimi i objekteve pa leje pret 5 milionë të hyra vetjake.




Ky synim është përshkruar edhe në Kornizën afatmesme buxhetore 2016-2018, i cili është paraqitur dhe ka kaluar në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë e Financa, në fund të javës së shkuar, shkruan sot «Koha Ditore».

Plani buxhetor i miratuar nga KPF-ja nënkupton që do të shqyrtohet edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, që do të mbahet më 29 shtator, një ditë para skadimit të afatit që jepet nga Ministria e Financave, si afat përfundimtar.

Autoritetet komunale kanë sqaruar se ky buxhet llogaritet në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, më 2011. Sipas këtij regjistrimi, Komuna e Prishtinës kishte 198 mijë e 897 banorë. Deri më 2013 buxheti është llogaritur për 388 mijë e 561 banorë, ose për 200 mijë banorë më shumë. Llogaritja në atë kohë ishte bërë në bazë të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, që e ndjekin mësimin në masën 100 për qind. Sipas autoriteteve komunale ka shumë banorë të Prishtinës, që janë të regjistruar në vendlindjet e tyre në regjistrimin e fundit të popullsisë, derisa Komuna i shërben një numri të madh të qytetarëve që nuk janë banorë të Prishtinës.

Sidoqoftë, buxheti i planifikuar për vitin 2016 është 65 milionë e 883 mijë e 762 euro, që i bie rreth 17 milionë euro më pak se parashikimet e mëparshme, sipas të cilave komuna llogaritej me afërsisht 200 mijë banorë më shumë. Në vitin aktual, buxheti komunal është 62 milionë euro.

Sipas KAB-it, nga shuma e planifikimit, 30 milionë llogariten të jenë të hyra vetjake.