Prishtina ka edhe mbishkrime banale

Kaosit urban në Prishtinë kohëve të fundit i janë shtuar edhe grafite e mbishkrime të shumta.




Përveç atyre që cilësohen si art rrugor, muret e ndërtesave të shumta janë të mbushura me shkrime, të cilat përmbajnë edhe fjalë fyese, raporton «038» i KTV-së.

Qytetarët thonë se disa nga to duken bukur, por të tjerat duhen pastruar nga ata që udhëheqin me qytetin.

Arkitektët thonë se në pamjen jo të mirë të Prishtinës kontribuojnë edhe grafitet dhe shkrimet e ndryshme.

Dardan Sejdiu, që ushtron postin e drejtorit të shërbimeve publike, deklaron se nuk mund të kontrollohen të gjitha hapësirat ku të rinjtë shprehen në mënyra të ndryshme.

Komuna e Prishtinës kishte paraparë që në kuadër të artit rrugor të shpallte konkurs për grafite në pjesë të ndryshme të qytetit, përcjell koha.net. Derisa nuk ka asgjë zyrtare, ato që bëhen me vetiniciativë shihen gjithandej.

Prishtina, ndër të tjera, është e mbushur edhe me mbishkrime të partive politike, të cilët me shkrime të tilla e kundërshtojnë qeverinë.