Prishtina fiton dramën në Europe Cup

Sigal Prishtina ka mposhtur Astanan në FIBA Europe Cup me rezultat 75 me 73.




Pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Energias me rezultat 72-87, Prishtina me një lojë të bukur dhe në përkrahje të tifozëve “Plisat” arritën të befasojnë ekipin kazak në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Dardan Berisha shkëlqeu në këtë takim duke realizuar 24 pikë 4 kërcime e 4 asistime derisa atij i ndihmoi edhe El-Amin që realizoi 19 pikë ndërsa me treshet e tij i ndihmoi Prishtinës që të rikthente avantazhin dhe të fitonte në fund.
Në çerekun e parë më i miri te Prishtina ishte Dardan Berisha që realizoi dhjetë pikë, dy asistime e dy kërcime. Në dhjetë minutat e parë me katër pikë u dallua edhe El-Amin.

Te Astana Kenneth Haynes ishte më i miri me dhjetë pikë, derisa u ndihmua nga Zhurkanenko me pesë pikë.

Në çerekun e dytë, Prishtina ndezi motorët duke realizuar një seri prej tetë pikëve ndërsa Astana realizoi vetëm një pikë në katër minutat e parë të kësaj pjese.

Këtë formë kampioni i Kosovës nuk arriti ta mbajë deri në fund të pjesës së parë pasi ekipi mysafir shkriu epërsinë dhe në pushim shkoi me rezultat 35-40.

Në çerekun e dytë Berisha shtoi edhe gjashtë pikë ndërsa shkëlqeu Edmond Azemi që realizoi gjashtë pikë.

Dominimin në parket e vazhdoi Hayes i cili realizoi 17 pikë për Astanan. Ai u ndihmua edhe nga Ilin me nëntë pikë.

Prishtina u këndell në çerekun e tretë duke ngushtuar epërsinë në 51 me 52.

El-Amin shkëlqeu në këtë pjesë duke realizuar 14 pikë derisa “Edo” shtoi edhe pesë pikë tjera.

Në çerekun e katërt Prishtina me një lojë të fortë në mbrojtje dhe me kundërsulme kaloi në epërsi deri në pesë pikë dhe ishte e paarritshme deri në fund për Astanan.