Prishtina e Beogradi konfirmojnë gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve

Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë janë zotuar edhe një herë se do t’i mbeten të përkushtuar obligimit për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri me tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.




Ky konstatim ka qenë njëri prej rezultateve të vetme nga një takim që të martën mbrëma është zhvilluar në selinë e Komisionit Evropian në një «darkë joformale» të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Se palët kanë përsëritur gatishmërinë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në fund të muajt gusht ka thënë në një deklaratë të lëshuar pas takimit edhe Maja Kocijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së Federice Mogherini

Nga delegacioni i Kosovës,i përbërë nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm, Hashtim Thaçi, nuk ka pasur prononcime në Bruksel, raporton nga korrespondenti i «Kohës Ditore». Ndërkaq nga delegacioni i Serbisë gazetarëve u është drejtuar vetëm ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, dhe atë me një dozë shumë të vogël të hollësive rreth asaj që ka ndodhur në këtë takim.

«Nuk kam kompetenca për të dhënë shumë detaje. Takimi ka qenë shumë i vështirë. Ne kemi përsëritur gatishmërinë tonë për të përmbushur marrëveshjet e arritura. Edhe delegacioni i Prishtinës ka bërë një prezantim të tillë», ka thënë Daçiq, duke paralajmëruar se për hollësi të tjera opininit do t’i drejtohet kryeministri Aleksandar Vuçiq. Zëvendëskryeministri dhe ministrti i Jashtëm i Serbisë ka thënë se «Serbia ka dëshmuar një sjellje konstruktive, por përshtypja është se kjo nuk po kuptohet sa duhet nga ana e Bashkimit Evropian».

Diplomatët evropianë kanë përsëritur se presin nga Prishtina dhe Beogradi që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog dhe se nga përparimi në këtë drejtim do të varet edhe progresi në procesin e integrimeve rvropiane. Në rastin e Kosovës kjo nënkupton nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit së shpejti, ndërsa në rastin e Serbisë hapjen e negociatave për kapitujt e parë në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Rezultatet e dialogut dhe përparimi në normalizimin e raporteve pritet të përfshihen edhe në raportet vjetore të progresit, të cilat do të miratohen javëve në vijim në Bruksel.

Sa i përket kundërshtimeve që dëgjohen në Kosovë ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel, diplomatët evropianë përsërisin se «është legjitime të ketë kundërshtime, por kjo duhet të bëhet në mënyrë paqësore dhe pa dhunë».