Prishja e martesës dyshohet që çoi në vrasjen e mikut

Një plagë e vetme në regjionin e fytit nga arma e zjarrit ka qenë vdekjeprurëse për Ismet S. nga fshati Herticë i Podujevës. Kjo vrasje, që ka ndodhur të mërkurën në një rrugicë në të majtë të magjistrales Podujevë - Merdar, afër pompës së benzinës «Evropa» në Podujevë, dyshohet se ka ndodhur pas prishjes së një martese, shkruan Koha Ditore.




Sipas burimeve të gazetës, viktima ka qenë vjehrri i vajzës së dorasit H.Sh. (62) nga fshati Ballaban i Prishtinës. Sipas të njëjtave, djali i Ismetit është ndarë nga vajza e H.Sh. dhe se ky i fundit nuk ka pranuar assesi që të pajtohet me tashmë ish-miqtë e tij nga Hertica. I njëjti burim, i ka thënë gazetës se H.Sh. nuk ka pranuar që kjo çështje të zgjidhet «ndër burra» e as që kjo të paguhet me një shumë prej 20 mijë eurove.

«Ky miku i Ballabanit e paska thirrur në telefon Ismetin me fol për këtë punë edhe e paska vra», ka thënë burimi.