Prishës shteti dhe ndreqës të pushtetit personal

Një popull i varfër ekonomikisht lehtë mund të manipulohet politikisht, prandaj në Kosovë edhe 16 vite pas luftës e 8 vite pas pavarësisë mund të vishë në pushtet duke premtuar qindra-mijëra vende pune pa asnjë plan konkret.

Foto: Shutterstock



Kur fillova studimet në shkencat politike, qëllimi im kryesor ishte të kuptoj se a është politika ashtu siç janë politikanët? Fatmirësisht mora përgjigjen që dëshiroja, ndërsa fatkeqësi ishte që shembullin më të afërt për këtë përgjigje e gjeta në vendin tim, në Kosovë. Përgjigja ishte se politika nuk është ashtu siç janë politikanët. Sot e ashtuquajtura politikë në Kosovë është sinonim i privilegjit, i manipulimit, i intrigës, i përfitimit individual, familjar, grupor, klanor e partiak dhe është tërësisht antonim i moralit, antonim i ndërgjegjes dhe përgjegjësisë.

Një popull i varfër ekonomikisht lehtë mund të manipulohet politikisht, prandaj në Kosovë edhe 16 vite pas luftës e 8 vite pas pavarësisë mund të vishë në pushtet duke premtuar qindra-mijëra vende pune pa asnjë plan konkret. Për fat të keq shumica e qytetarëve nuk e kanë arritur ende pjekurinë dhe vetëdijen e duhur politike. Ata janë të interesuar për punë, por jo edhe për rritje të vetëdijes politike, e cila është parakusht për të zgjedhur politikanë që krijojnë vende pune. Paradoksi më i madh duket se është ky: së pari duhet të dështosh në udhëheqjen e kryeqytetit në mënyrë që pastaj të udhëheqësh shtetin.

Në rrugën e saj të shtetndërtimit Kosova do të vijë në një pikë kur ndoshta të duhet të shpall sërish pavarësinë! Ky mendim në dukje imagjinar, duke parë zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova, nuk është edhe i pabazuar. Të paktën nuk po arrijmë të krijojmë një shtet të kompletuar me të gjitha pjesët përbërëse elementare. Kemi disa ngjarje aktuale të cilat interpretohen nga të dy palët si nga pozita ashtu edhe nga opozita në mënyra të ndryshme. Edhe vetë mënyra e krijimit të këtij koalicioni qeverisës tregon shumë për politikën në Kosovë, dhe ajo që çdo qytetar e ka të qartë është që kjo pozitë vepron krejtësisht ndryshe nga premtimet të cilat i ka bërë në fushatën zgjedhore.

Marrëveshja e partnerëve qeverisës është marrëveshje për plotësimin e ambicieve personale para së gjithash të dy liderëve partiakë. Kjo qeveri merret me çdo gjë që ka të bëjë me arritjet personale, familjare, grupore e partiake dhe gjëja e vetme me të cilën ky kabinet merret më së paku janë hallet e  qytetarëve të këtij vendi. Prandaj nuk kemi zhvillim ekonomik, strategji të bisedimeve me Serbinë, por kemi bisedime pa kushte e kompromise me rezultat humbjen e një pjese të sovranitetit, ngecje në arenën ndërkombëtare për shkak të diplomacisë individuale dhe jo shtetërore. Duke pasur parasysh këto mbetet vetëm ky konstatim: për këtë qeveri në Kosovë pushteti është qëllim.

Opozita në anën tjetër nuk po arrin të krijojë besimin e duhur që kauza e saj është e drejtë. Ta zëmë, Lëvizja Vetëvendosje duket se i përdorë partnerët opozitarë sa për ta kaluar këtë situatë të vështirë për vendin dhe pastaj për t’u kthyer te akuzat e vjetra ndaj tyre. Kjo mund të ndodh edhe nëse kemi zgjedhje dhe në to shkohet me lista të veçanta e jo me listë të përbashkët. Nëse shkohet në zgjedhje me listë të përbashkët mund të ketë probleme me ndarjen paraprake të posteve. Dihet se cili ishte fati i koalicionit paszgjedhor VLAN.

(Autori, me origjinë nga Kosova, është student në Universitetin e Tetovës)