Prirja e rrezikshme e popullistëve perëndimorë drejt putinizmit

Në një epokë kur votuesit po kërkojnë liderë të fuqishëm që janë të zotë të fuqizojnë shtetet e tyre, zoti Putin është mik zori dhe i rrezikshëm. Në fakt, ai nuk është aleat dhe popullistëve perëndimorë duhet t’u kërkohet llogari pse kanë kthyer kokën nga ai, shkruan «Financial Times».

Vladimir Putin gjatë një vizite në Francë. Foto: Shutterstock

Ka një tendencë të dukshme të popullistëve perëndimorë që ta çojnë në qiell Vladimir Putinin. Diane James në intervistën e parë si lidere e Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e ka pranuar të dielën se presidenti rus është një prej heronjve të saj politikë bashkë me Winston Churchillin dhe Margaret Thatcherin, ish-kryeministra konservatore të Britanisë së Madhe.

Megjithëse është e habitshme kur dëgjon këta tre emra që i fut në një listë, kështu nuk e mendon edhe ajo. Ajo ka deklaruar vjet kur ka folur për Putinin: «E adhuroj prej këndvështrimit të pozicionit të vendit të tij. Është nacionalist. E adhuroj. Është lider shumë i fuqishëm».

Si shumë euroskpetikë të tjerë, zonja James anon kah zoti Putin për shkak se te ai sheh liderin që Brukselin e mendon si yll të shuar – fjalën e ka për BE-në. «Ai po e vë Rusinë në rend të parë», ka theksuar ajo. «Ai po merret me çështje që lidhen me mënyrën se si BE-ja inkurajoi ndryshim qeveritar në Ukrainë, që e mendonte si rrezik për popullsinë ruse në atë vend».

Qasja e lideres së UKIP-it nuk do të merrej fort seriozisht nëse do të ishte fjala për ndonjë politikë jokonvencionale. Ajo nuk është e tillë.

Donald Trump, figurë larg më e rëndësishme se zonja James, ka shprehur admirimin e pashoq për zotin Putin si lider që po e fuqizon përsëri vendin e tij.

Në një klimë politike të dominuar prej çështjeve si globalizimi, të drejtat e homoseksualëve dhe terrorizmi, konservatorët amerikanët po e shohin Putinin si një figurë të admiruar politike. Këshilltarët e kandidatit republikan për president kanë zbutur platformën e tyre kur vjen puna te kritikat që duhen shprehur kundër Putinit. Fushata e Trumpit nuk do mend se ka përfituar prej hakimit të emaileve të Partisë Demokratike amerikane nga pala ruse, duke ngritur dyshime për lidhjet e tij me Kremlinin. Republikanët kishin dyshime të mëdha ndaj «Moskës» gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

Për arsye të ngjashme, Viktor Orbani, lider i djathë hungarez, që është gjithashtu konservator kulturor dhe nacionalist, është i afërt me presidentin rus. Në Austri, Norbert Hofer, i Partisë së Lirisë populliste është pozicionuar në krahun e Putinin kur diskutohet çështja e pushtimit të territorit ukrainas. Qeveria ruse akuzohet madje se ka financuar fushatën e Frontit Kombëtar të Marine Le Penit në Francë.

Nuk është vetëm puna e nacionalizmit të Putinit që i bën mbështetësit e tij në Perëndim ta duartrokasin. Ata çmojnë dhe antiamerikanizmin e Putinit: zonja James dhe zonja Le Pen, ta zëmë, kanë dalë me qëndrime kundër Partneritetit për investim dhe tregti transatlantike ndërmjet BE-së dhe SHBA-së. Politikat e jashtme të presidentit amerikan, Barack Obama, janë fokusuar më shumë në Azi ose në Lindje të Mesme sesa në Evropë, mbase duke krijuar mundësi për rritje të këndvështrimeve të ngjashme.

Duhet shtuar edhe qasjen skeptike të Putinit kundrejt thirrjeve për të drejta të homoseksualëve për disa konservatorë socialë, shumë prej të cilëve besojnë se liderët e tyre kanë hequr dorë prej vlerave tradicionale dhe lavdërojnë Rusinë për qëndrimin e saj të hapur kundër modernizmit liberal.

Këta popullistë nuk merren me cenet e Putinit, sepse ai dëshiron shtet me dorë të fortë. Ky është lideri që «mbase» aprovoi vrasjen e një agjenti të KGB-së në tokën britanike; lideri që po e mban në këmbë Bashar al-Asadin e Sirisë dhe që po minon përpjekjet e Perëndimit për t’i dhënë fund luftës civile siriane; njeriu që aneksoi një pjesë të shtetit fqinj dhe njeriu që po dezinformon botën e jashtme.

Në një epokë kur votuesit po kërkojnë liderë të fuqishëm që janë të zotë të fuqizojnë shtetet e tyre, zoti Putin është mik zori dhe i rrezikshëm. Në fakt, ai nuk është aleat dhe popullistëve perëndimorë duhet t’u kërkohet llogari pse kanë kthyer kokën nga ai.