Prindërit nga Ballkani i rrahin fëmijët dyfish më shpesh se zviceranët

Shuplaka dhe shqelma: Një studim zviceran tregon se prindërit nga Ballkani sillen keq ndaj fëmijëve të tyre.

Foto: Shutterstock



Në shumë familje në Zvicër fëmiijët ende përjetojnë dhunë. Shifrat janë shqetësuese, sipas mediave zvicerane, të cilat i referohen një studimi të Shkollës së Lartë të Zürichut për Shkenca Aplikative (ZHAW). Prindërit i godasin fëmijët e tyre me gjësende, me grushta apo me shqelm.

Fëmijët me prindër nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia vuajnë më së shumti nga prindërit e dhunshëm: 40 për qind e fëmijëve me origjinë nga këto vende përjetojnë dhunë masive nga prindërit e tyre – dyfish më shumë se mesatarja zvicerane. Po aq të dhunshëm përshkruhen edhe prindërit portugezë. Anketa është zhvilluar me 4600 të rinj të moshës 17-vjeçare.

Udhëheqësi i studimit Peter Rieker nga Universiteti i Zürichut ka thënë se ushtrimi i dhunës ndaj fëmijëve ka të bëjë me normat patriarkale. Rreziku nga dhuna, sipas tij, është më i lartë në rast se prindërit janë të papunë dhe kanë vështirësi t’i mbajnë fëmijët. Prindërit zviceranë më shumë godasin me shuplakë, ka treguar studimi. Shuplaka nuk është e ndaluar me ligj, sepse disa kërkesa përkatëse të deputetëve kanë dështuar. (dp)