Prezantohet për mësuesit e Ballkanit faqja e re e internetit me studime mbi luftën

Devedesete.net, një faqe e re e ndërtuar me historianë nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, synon të ndihmojë arsimtarët të japin mësime mbi luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe të promovojnë pajtimin.

Pamje nga Sarajeva e pllakosur nga lufta.



Shoqata e Arsimtarëve Europianë të Historisë, EUROCLIO, në bashkëpunim me shoqatat e mësuesve dhe edukatorëve të historisë nga rajoni i ish-Jugosllavisë, kanë prezantuar një faqe të re interneti që përmban materiale që synojnë të ndihmojnë lëndët që kanë lidhje me luftërat e viteve 1990. Faqja e internetit Devedesete.net është rezultat i një projekti dy vjeçar me titull «Të mësosh historinë që s’është ende histori». «Kjo është një periudhë që mbahet mend në mënyra të ndryshme dhe shpesh shumë kontradiktore dhe ekskluzive», njofton faqja e internetit.

Historia e luftërave të viteve 1990 është një çështje e ndjeshme në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe ndërsa temat e kohës së luftës trajtohen në mësimet në disa vende, në disa vende të tjera ato trajtohen pjesërisht ose nuk trajtohen fare, shton faqja e internetit. «Kroatët jetojnë ende në vitet ‘90, serbët pretendojnë se vitet ‘90 nuk ndodhën fare, derisa situata më kaotike ekziston në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të një numri të madh kurikulash dhe planeve mësimore», tha Aleksandar Todosijeviq i Shoqatës për Historinë Sociale të Serbisë, EUROCLIO, e cila ishte e përfshirë në dizenjimin e faqes së internetit.

«Ideja jonë ishte t’u tregojmë mësuesve se ka materiale përtej kurikulës mësimore që mund të përdoren për të dhënë mësime për luftërat e viteve ‘90 në një mënyrë moderne dhe të përgjegjshme. Këtu përfshihen baza të ndryshme të dhënash, literaturë, dokumentarë dhe filma, ekspozitë në muze, memoriale si edhe projekte të ndryshme OJQ-sh», shtoi Todosijeviq. Ndër materialet përfshihen edhe vendime të Gjykatës së Hagës dhe dy dokumentarë të realizuar nga BIRN në Bosnjë-Hercegovinë – «Më mungon», mbi të afërmit e personave të zhdukur, dhe «Ulërimë e heshtur» që tregon për traumat që përjetojnë ende viktimat e abuzimeve seksuale të kohës së luftës në Bosnjë.

Todosijeviq tha se duke përdorur materialet në faqen e internetit, mësuesit do të mund t’i mësojnë fëmijët për pajtimin. «Në publik njerëzit ende flasin për viktimat <e tyre>, secila palë mendon se ata vuajtën më shumë. Nëse ne i mësojmë fëmijët në këtë mënyrë, kjo do të shkaktojë zemërim ose ndonjë lloj urrejtjeje midis fëmijëve që do të ishte një bazë e përsosur për konflikte të reja», shpjegoi ai. (BIRN)