Pretendenti i Kosovës për «Oscar» ka shitur 1.238 bileta

Filmin të cilin Kosova e ka propozuar për nominim, për çmimin më prestigjioz kinematografik në botë, gjatë shfaqjes në kinemanë e vetme të kryeqytetit, e kanë parë veç mbi 1 mijë veta.




Për filmin «Babai» me skenar e regji të Visar Morinës, me 14 shfaqje në Kinemanë ABC, janë shitur 1 mijë e 238 bileta. Edhe 200 shikues e kanë parë filmin në premierë. Paralelisht me kinemanë, shkruan sot «Koha Ditore», filmi është shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në mbrëmjen e 2 shtatorit. Ky objekt ka kapacitet prej 296 ulësesh.

Me këtë shifër, filmi që rrëfen një histori të Kosovës së viteve ’90, vazhdon «traditën» e filmave të tjerë kosovarë të realizuar viteve të fundit, të cilët gjatë shfaqjes në Kinemanë ABC nuk ia kanë dalë të tejkalojnë shifrën prej 2.000 shikuesish. «Tri dritare dhe një varje» me regji të Isa Qosjes – që vitin e kaluar qe propozimi i Kosovës për «Oscar» në gjuhë të huaj – kishte shitur 1 mijë e 200 bileta. Vitin e kaluar më i shikuari nga filmat shqiptarë kishte dalë «Zori» i Esat Fejzës, me 2 mijë e 500 bileta të shitura.

Miradije Vllahiu, drejtoreshë e kompanisë për distribuimin dhe shfaqjen e filmave «Genci», ka thënë se «Babai» ka qëndruar dy javë në repertorin e Kinemasë ABC, ku është shfaqur në një termin.

«Bileta të shitura janë 1.238 për 14 shfaqje sa ka qëndruar në repertor. Ndërsa shikues kanë qenë 200 në premierën me ftesa», ka thënë Vllahiu.

«Babai» është koproduksion midis Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe Maqedonisë. Ky film bashkë me «Tri dritare…» është në garë edhe për seleksionim në «European Film Awards 2015» – që ndan çmime për arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane.

Sipas Vllahiut, interesimi për «Babanë» është i nivelit mesatar, njësoj sikurse për të gjithë filmat shqiptarë të realizuar viteve të fundit.

As në Prizren «Babai» del se nuk ka ngjallur fort interesim.