Presioni i Leskajt sjell raportuesin e KE-së në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën, më 5 tetor, do të pres në takim Raportuesin e Këshillit të Evropës për Kosovën, Agustin Conde.




Vizita e Condes vjen menjëherë pas kritikave që nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, njëherësh edhe zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, gjatë punimeve të sesionit të vjeshtës së AP të KE-së, (të zhvilluara këtë javë) i ka drejtuar ndaj Condes, i cili raportoi pikërisht për Kosovën, por duke mos kryer asnjë vizitë në Kosovë.

Nisur nga fakti se Conde e kreu vizitën e parë në Serbi dhe ende nuk ka shkuar në Kosovë, ndërkohë që është raportues i Kosovës e jo i Serbisë, Leskaj inkurajoi Conden që të vizitojë Kosovën dhe të zhvillojë kontakte me autoritetet kosovare, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë të tjerë, duke reflektuar në raportin e APKE-së edhe progresin që ka shënuar Kosova.

Leskaj ka thënë se Conde ka vizituar krerët shtetëror të Serbisë, sikurse dhe ka takuar edhe tre përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nga komuniteti serb.