Presidentja Jahjaga pret që Kosova të jetë përfituese e MCC

Presidentja Jahjaga shprehu besimin që progresi i deritanishëm do të reflektojë pozitivisht në përzgjedhjen e Kosovës për të përfituar nga asistenca e MCC-së.




Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Uashington nga znj. Beth Tritter, zëvendëspresidente e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e pavarur amerikane e asistencës së jashtme, e themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 2004, transmeton Koha.net.

Presidentja Jahjaga dhe zëvendëspresidentja Tritter diskutuan për mundësinë që Kosova të përfitojë nga asistenca e MCC-së.

Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Tritter se që nga muaji shkurt i këtij viti Zyra e Presidentes ka marrë përsipër bashkërendimin e institucioneve vendore, organizatave ndërkombëtare dhe Ambasadës së Kosovës në Uashington, ku është bërë një punë e konsiderueshme për të përmirësuar indikatorët e politikave të kërkuar nga MCC. Presidentja Jahjaga shprehu besimin që progresi i deritanishëm do të reflektojë pozitivisht në përzgjedhjen e Kosovës për të përfituar nga asistenca e MCC-së.

Zëvendëspresidentja Tritter e falënderoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj personal për të arritur partneritetin ndërmjet Kosovës dhe MCC-së. Ajo theksoi se është jashtëzakonisht e kënaqur me nivelin e bashkëpunimit që MCC ka pasur me ekipin kosovar këtë vit dhe progresin që është arritur përbrenda një kohe shumë të shkurtër në përmirësimin e indikatorëve.

Zëvendëspresidentja Tritter njoftoi Presidenten që rezultatet e shteteve kandidate do të publikohen në fund te tetorit dhe vendimi final për themelimin e partneritetit merret nga Bordi i kësaj agjencie në dhjetor të këtij viti.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) që prej themelimit të saj ka mbështetur reformat në shumë shtete në tranzicion me dhjetëra milion dollarë grante. Përzgjedhja e vendeve për të përfituar nga asistenca e MCC-së bazohet në një procedurë strikte dhe inovative të performancës së shteteve në 20 tregues të ndryshëm politikash, si: qeverisja e mirë, liria ekonomike dhe investimi në qytetarë.