Presidenti Thaçi pret ministren Tahiri, lavdërojnë njëri tjetrin

Prishtinë, 14 qershor - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është pritur në një takim nga presidenti Hashim Thaçi, të cilin e ka uruar për marrjen e postit më të lartë shtetëror dhe kanë biseduar për bashkëpunimin në kuadër të angazhimeve të përbashkëta shtetërore.

Ministrja Tahiri me këtë rast tha se çmon lartë kontributin e presidentit Thaçi që nga koha e luftës, bashkëpunimin në kuadër të Konferencës së Rambujesë dhe bashkëpunimin e tanishëm në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Sipas një kumtese për medie, ministrja Tahiri ka theksuar përkushtimin në përmbushjen e vizionit euroatlantik për Republikën e Kosovës dhe avancimin e interesave shtetërore drejt qëllimeve tona për integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe struktura tjera relevante ndërkombëtare, duke fuqizuar edhe më shumë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në.

Në këta takim u theksuan përparimet e gjithëmbarshme në vend, sidomos arritjet në kuadër të integrimit evropian, si nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asocim me BE-në dhe vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave. Më tutje u tha se duhet të vazhdojë përkushtimi për reforma evropiane të gjithanshme, ku prioritete kryesore janë forcimi i sundimi i ligjit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe punësimi, për të bërë shtetin tonë sa më prosperues për gjithë qytetarët.

Presidenti Thaçi nga ana e tij tha se vlerëson lartë kontributin e ministres Tahiri në të gjitha fazat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe angazhimet e tanishme në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se çmon lartë lidershipin e zonjës Tahiri në dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë dhe tha se mbështetja e tij do të vazhdoj të jetë e fuqishme dhe nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi se dialogu i Brukselit ka kontribuar për avancimin e Kosovës drejtë BE-së i dëshmuar me marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në si dhe për konsolidimin e sovranitetit shtetëror në veri të vendit.