Presidenti serb Nikoliq «planifikon të rikandidojë në zgjedhje», raporton media serbe

Media raportoi se në një lëvizje të papritur, presidenti serb Tomislav Nikoliq ka vendosur të kandidojë për një mandat tjetër, megjithëse partia e tij ka vendosur tashmë të nominojë kryeministrin Aleksandër Vuçiq.

Tomislav Nikoliç. Foto: ToskanaINC / Shutterstock



Media në Serbi raportoi se presidenti Tomislav Nikoliç ka marrë vendimin të kandidojë për një tjetër mandat të mërkurën, pavarësisht faktit se lidershipi i Partisë Progresive ku ai bën pjesë ka propozuar tashmë si kandidat kryetarin dhe kryeministrin Vuçiç.

Lajmi që pretendon se Nikoliç ka vendosur të kandidojë u raportua nga media ruse Sputnik Serbia, televizioni rajonal N1 dhe TV B92, por nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Zyra e Nikoliç nuk u arrit të kontaktohej për koment.

Kandidimi i tij do të ishte një befasi, pasi Vuçiç tashmë shihet si pretendenti kryesor.

Vuçiç ka marrë tashmë mbështetje nga liderët e partive të tyre ta koalicionit qeverisës, të cilët kanë rënë dakord ta shohin atë si kandidatin e tyre të përbashkët.

Vuçiç refuzoi të komentonte mbi raportimet rreth Nikoliç.

Ivica Daçiç, lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, tha se nëse raportimet ishin të vërteta, lëvizja e Nikoliç ishte «e turpshme».

Nikoliç, që fitoi zgjedhjet presidenciale të 2012 si kandidat i zgjedhur nga Progresivët ka thënë në disa raste se priste mbështetje nga partia e tij për garën e ardhshme presidenciale.

Pas vendimit të partisë për të zgjedhur Vuçiç, Nikoliç tha të mërkurën se ai «nuk ishte i befasuar».

«Do ta diskutojmë», tha Nikoliç kur u pyet nëse do të mënjanohej.

Srdjan Bogosavljeviç nga agjencia e marketingut Ipsos i tha B92 të mërkurën se mbështetja e Vuçiç mes votuesve do të jetë padyshim mbi 50 për qind ose në rastin më të keq rreth 50 për qind.

Sondazhet më të fundit të kryera nga Gallup dhe të publikuara më 2 shkurt sugjeruan se Nikoliç do të fitonte zgjedhjet nëse Vuçiç nuk do të garonte.

Si i pavarur, sondazhi sugjeroi se Nikoliç do të fitonte 37,3 për qind të votave – dhe nëse mbështetej nga Partia Progresive, Socialistët dhe anëtarë të tjerë të koalicionit qeverisës, ai do të merrte rreth 50,2 për qind të votave në raundin e parë.

(https://www.reporter.al/presidenti-serb-nikolic-planifikon-te-rikandidoje-ne-zgjedhje-raporton-media-serbe/)