Presidenti moldav vihet në lojë pas shakasë së Putinit

Kritikët i vunë presidentit pro-rus të Moldavisë, Igor Dodon nofkën si «ushtari i Carit» pasi presidenti rus Vladimir Putin bëri shaka në kurriz të tij në një samit në Moskë.

Presidenti moldav Igor Dodon (djathtas) në një panel me kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentin rus Vladimir Putin në Forumin Ekonomik Euroaziatik të shtunën. Foto: Facebook



Presidenti pro-rus i Moldavisë, Igor Dodon, është bërë objekt talljeje nga politikanët kundërshtarë dhe nga mediat në Kishinau, pasi presidenti rus Vladimir Putin foli për të në Shën Petërburg, ku kreu moldav i shtetit ishte të shtunën për të marrë pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik.

Kur një gazetar në samit e pyeti kryeministrin indian Narendra Modi nëse ai beson se Federata Ruse ndërhyri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ishte Putin ai që u përgjigj.

«Pyet Dodonin. Ai e di më mirë», tha Putini dhe Dodoni buzëqeshi.

Shakaja lidhet me tiranin rus Ivani i Tmerrshëm, i cili sa herë që mërzitej përgjigjej: «Pyete bufonin tim, ai e di më mirë».

Mediat dhe analistët moldavë reaguan me kritika ndaj Dodonit, pavarësisht nga përpjekjet e presidencës për të minimizuar incidentin.

Analisti politik Petru Bogatu shkroi në faqen e tij në Facebook se Dodoni po përdorej si «bufoni i carit» nga «ky lider i ligë i Moskës».

«Palaçoja Igor Dodon më në fund gjeti vendin e tij në histori dhe askush nuk mund t’ia marrë këtë. Mandati i tij presidencial do të përfundojë herët a vonë, por cilësimi si bufoni i carit Putin nuk do të ketë kurrë fund», tha Bogatu.

Dodoni ka qenë një mbështetës i fortë i lidhjeve më të ngushta me Federatën Ruse dhe në fushatën e tij elektorale të vitit 2016 ai premtoi të dalë nga marrëveshja tregtare e Moldavisë me Bashkimin Europian dhe të bashkohet me Unionin e Euroazisë të kryesuar nga Putini.

Që kur mori detyrën në dhjetor 2016, presidenti moldav e ka takuar Putinin disa herë.

Sidoqoftë, në takimin e tyre të parë në janar, Putini e la të priste në paradhomën e tij për tre orë para se ta pranonte.

Putini i dha Dodonit dhuratë një hartë të Moldavisë historike të vitit 1790, përpara se të bashkohej me Rumaninë. Dodoni ia prezantoi atë shtypit, duke e ngatërruar për një hartë të Moldavisë të vitit 1812, pas Luftës Ruse-Turke, kur Perandoria Osmane ia dha Besarabinë, Moldavinë e sotme, Perandorisë Ruse.

Dodoni ishte gjithashtu i vetmi kryetar shteti nga ish-republikat sovjetike në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, që i qëndroi krah Putinit në Paradën e Ditës së Fitores të 9 Majit, ku u shënua fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Dodoni pati një takim privat me Putinin të premten gjatë forumit të Shën Petersburgut, i pesti takim që kur është bërë president.

Në faqen e tij në Facebook, ai tha se i kërkoi falje Putinit për vendimin e qeverisë në Kishinau për të dëbuar pesë diplomatë rusë javën e kaluar.

Ai tha gjithashtu se Putini premtoi se nuk do të ketë probleme të mëtejshme për këtë veprim.

(https://www.reporter.al/presidenti-moldav-vihet-ne-loje-pas-shakase-se-putin/)